Ndërlidhjet

Kritika për vazhdimin e politizimit të gjyqësorit në Maqedoni


Ilustrim (©Shutterstock)

Ilustrim (©Shutterstock)

Organizatat joqeveritare në Maqedoni konsiderojnë se vetëm me përfshirjen e tyre të drejtpërdrejtë në monitorimin dhe vlerësimin e politikave, që rrjedhin nga Kapitulli 23 i rekomandimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, kapitull ky që në vete ngërthen reformat në gjyqësor, mund të shpresohet se reformat në gjyqësor do të jenë cilësore.

Në këtë mënyrë, organizatat joqeveritare në Maqedoni të emërtuara si "Rrjeti 23", thonë se do të luajnë rolin e një “qeni rojtar”.

Ibrahim Mehmeti, përfaqësues i sektorit civil, thotë se “Rrjeti 23” ka mbledhur më shumë profesionistë të lëmit të gjyqësorit, të cilët mund të japin kontributin e tyre, në reformimin e gjyqësorit, por sipas tij, çështja qëndron në atë se sa do të jetë i hapur pushteti për t’i inkorporuar sugjerimet e tyre për realizimin e reformave në sistemin gjyqësor.

“Mund të them se organizatat për këtë qëllim kanë inkuadruar më shumë njerëz me eksperiencë në lëmin e drejtësisë. Veprimi i tyre mund të japë një kontribut të konsiderueshëm, edhe pse gjyqësori te ne është mjaft i mbyllur dhe çfarëdo ndikimi në formë ndihmese, qoftë nga sektori civil ose kushdo qoftë në përgjithësi është shumë i vështirë”, thotë Mehmeti.

Nga ana tjetër, këshilltari i delegacionit të BE-së në Maqedoni, Robert Lidell, konsideron se sugjerimet e Brukselit në Raportin e fundit të grupit të ekspertëve duhet të nxisin institucionet që të veprojnë për të shmangur të gjitha defektet, të cilat e përcjellin sistemin gjyqësor dhe jo t’i minimizojnë këto probleme në funksion të politikës ditore.

Mbase ne deri më tani jemi shprehur me një gjuhë tejet diplomatike megjithëse i kemi të njohura problemet, të cilat ekzistojnë, andaj konsideroj se raporti i grupit të ekspertëve të BE-së, mund të shërbejë për të identifikuar burimin e problemeve, të cilat tashmë i kemi të njohura”, thekson Lidell, këshilltar i delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoni.

Por, Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit në Shkup, thotë se asnjëherë s`ka qenë e kënaqur nga fjalori diplomatik i përdorur gjatë përpilimit të raporteve të komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht në pjesën e gjyqësorit, sepse kjo formë, siç thekson ajo, është keqpërdorur nga ana e autoriteteve zyrtare për të kamufluar realitetin e hidhur, përkatësisht të njëjtin duke e prezantuar më butë në sytë e opinionit të brendshëm.

Pirovska thotë se inkuadrimi i organizatave joqeveritare në monitorimin e reformave në sistemin gjyqësor, mund të ndihmojë dhe në masë të theksuar t’i frymëzojë të gjithë aktorët në Maqedoni të kontribuojnë në procesin e integrimit.

“Unë shpresoj se më në fund do të marrë udhë të mbarë ndërtimi i dialogut ndërmjet sektorit civil dhe autoritetet qeveritare. Më duhet të ritheksoj edhe një herë se shpresoj që në të ardhmen, cilido qoftë pushtet, që do të qeverisë vendin, do të jetë i gatshëm t’i pranojë kritikat e organizatave joqeveritare në funksion të ndërtimit të një sistemi gjyqësorë të pavarur”, thekson Pirovska.

Ndryshe, “Rrjeti 23” që përmban disa organizata joqeveritare ka konstatuar se pjesa më e madhe e ligjeve nuk arrijnë të zbatohen në praktikë përderisa gjykatat më shumë janë të prira të respektojnë formalitetet, sesa të fokusohen në aspektin cilësor gjatë punës.

XS
SM
MD
LG