Ndërlidhjet

Marrëveshja afër finalizimit, por ka probleme


Pamje nga takimi i gjashtë fuqive botërore në Vjenë
Pamje nga takimi i gjashtë fuqive botërore në Vjenë

Diplomatët e gjashtë fuqive botërore janë takuar mbrëmjen e së shtunës me negociatorët iranianë në përpjekje për arritjen e marrëveshjes finale atomike, meqë afati 13 korrik po afrohet.

Gjashtë fuqitë botërore, Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania, Kina, Rusia dhe Gjermania, po synojnë kufizimin e programit atomik iranian, në mënyrë që të mos arrihet prodhimi i armatimit atomik, në këmbim për lehtësim të sanksioneve ekonomike ndërkombëtare.

Diplomatët thonë se 98 për qind e tekstit të marrëveshjes është finalizuar, pas një varg takimesh të vështira dypalëshe dhe shumëpalëshe në Vjenë, gjatë ditës dhe natës së djeshme.

Por, derisa negociatorët përgatiten për vazhdimin e bisedimeve, raportohet se ende mbeten të pazgjidhura pak çështje të rëndësishme, përfshirë edhe atë se sa do të zgjasë çfarëdo marrëveshje dhe tërheqja e embargos së Kombeve të Bashkuara kundër Iranit për armatimin konvencional dhe raketor.

Tri afate të vetëpërcaktuara më herët nga negociatorët, 30 qershori, 7 dhe 9 korriku, tashmë nuk janë respektuar.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se kanë mbetur ende “çështje të vështira për t’u zgjidhur”, pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm iranian, Mohamad Javad Zarif, dhe me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, në takimin, që zgjati 90 minuta.

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, tha se “çdo gjë është në tavolinë dhe tash është koha për të vendosur”.

Sipas marrëveshjes kornizë, që është arritur në Lozanë të Zvicrës në muajin prill të këtij viti, Irani duhet ta zvogëlojë numrin e centrifugave të tij prej më tepër se 19 mijë në pak më tepër se 6 mijë sosh.

Po ashtu, kërkohet zvogëlimi i rezervave të uraniumit të pasuruar, që mund të përdoret për prodhimin e armatimit atomik, prej më tepër se 7 tonelatash, në afro 350 kilogramë.

Në negociata, po ashtu, ka mospajtime lidhur me çështjen e qasjes së pakufizuar të inspektorëve bërthamorë të Kombeve të Bashkuara, në hapësirat ushtarake të Iranit, në mënyrë që të zhvillohen hetime për dyshimet se Irani, në të kaluarën, ka synuar zhvillimin e armatimit atomik.

Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është cituar duke u thënë studentëve në një universitet në kryeqytetin Teheran, se Shtetet e Bashkuara janë “shembull perfekt i arrogancës” dhe se ata duhet ta përgatisin vetveten për “më tepër luftë kundër arrogancës”.

Duke i komentuar raportet për komentet e zotit Khamenei, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është shprehur kundër koncesioneve ndaj Iranit, në bisedimet atomike në Vjenë.

“Lideri i Iranit, Khamenei, është cituar duke thënë se është e domosdoshme përgatitja për luftë kundër Shteteve të Bashkuara, pavarësisht nëse do të ketë marrëveshje. Presidenti i Iranit, Rohani e udhëheq marrshin e urrejtjes në Teheran, marsh ku flamujt e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit janë djegur dhe ku mijëra kanë brohoritur 'vdekje Amerikës', 'vdekje Izraelit'. E gjithë kjo po ndodh derisa në Vjenë po ndodhin koncesione ndaj Iranit”, u shpreh Benjamin Netanyahu.

Më tutje, ai theksoi se, me gjasë, në mesin e gjashtë fuqive botërore ka të atillë që janë të gatshëm të “kapitullojnë para diktatit të Iranit”.

“Irani nuk e fsheh qëllimin e tij për vazhdimin e agresionit vdekjeprurës, bile edhe kundër atyre me të cilët po zhvillon negociata. Me gjasë, atje gjendet dikush në mesin e gjashtë fuqive botërore që është i gatshëm të kapitulloj ndaj realitetit se Irani po dikton, që përfshinë edhe thirrje të përsëritura për shkatërrimin e Izraelit. Ne nuk do ta pranojmë këtë”, theksoi Benjamin Netanyahu.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG