Ndërlidhjet

Marrëveshja, bazë e mirë për tejkalimin e krizës


Marrëveshja e arritur mes liderëve të katër partive kryesore politike është bazë e mirë për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, nëse nënshkruesit i përmbahen zbatimit të pikave për të cilat janë marrë vesh, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike.

Analisti Zdravko Savevski thotë se marrëveshja është një kompromis që mund të shihet edhe si i favorshëm për kryeministrin Nikolla Gruevski pasi i jep mundësi që pëkundër, siç thotë Savevski, kepërdorimeve të shumta që ka bërë, të tentojë që sërish përmes presioneve apo edhe formave tjera jodemokratike sërish të fitojë në zgjedhjet e parapara të mbahen më 24 prill 2016.

Por, sipas tij, edhe fakti që Gruevski do të tërhiqet në dhjetor dhe nuk do të jetë pjesë e qeverisë kalimtare, i jep mundësi qytetarëve që të thyejnë frikën dhe ndryshojnë pushtetin në vend.

“Vet fakti se marrëveshja është arritur nën presionon e fuqishëm të bashkësisë ndërkombëtare nënkupton se nuk ekziston ndonjë vullnet i veçantë, para se gjithash nga ana e pushtetit që të respektojë atë për të cilën është marr vesh me opozitën. Duke e pasur parasysh praktikën e saj të punës në të kaluarën, ajo sërish do të bëjë gjithçka që marrëveshja të humb peshën, në veçanti ndikimi i atyre ministrive që do të drejtohen nga opozita“, thotë Savevski.

Nga ana tjetër, Vlladimir Bozhinovski nga Instituti për Hartimin e Politikave, thotë se marrëveshja do të respektohet dhe se garancë për këtë janë SHBA-të dhe Bashkimi Evropian.

Sipas tij, ajo që u paralajmërua edhe u arritë, se çdo marrëveshje do të nënkuptonte fitore për Maqedoninë.

“Ishte me rëndësi që dy palët të ndjehen si fituese dhe kjo u arrit, që besoj se është shumë me rëndësi. Pra, partitë nuk e shohin veten si humbëse nga ajo për të cilën janë marrë vesh. Komentet pozitive që dolën nga selitë e dy partive politike janë pozitive për shtetin në përgjithësi. Kjo na e hap rrugën tonë për vazhdimin e procesit të eurointegrimit, që rrezikohej në rast të dështimit të bisedimeve“, thotë Bozhinovski.

Nga ana tjetër, debate në opinion ka nxitur edhe roli i shqiptarëve, apo nëse kërkesat e partive shqiptare janë ose jo pjesë e marrëveshjes politike.

Pretendimet se marrëveshja ka anashkaluar kërkesat shqiptare janë kundërshtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila thotë se marrëveshja kishte të bënte vetëm me një pikë të marrëveshjes paraprake të 2 qershorit, atë për fomrimin e qeverisë së re, ndërsa pikat tjera ku janë edhe çështjet shqiptare, sipas BDI-së, nuk janë diskutuar meqë për to tashmë ka marrëveshje.

“Të gjithë pikat e tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike, me zbatimin e plotë të MO-së, me marrëdhëniet me fqinjët, Kosovën, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Greqinë, si dhe integrimi euro-atlantik, që nënkupton zgjidhjen e çështjes së emrit dhe integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, janë pjesë përbërëse e marrëveshjes bazë të 2 qershorit".

"Do të thotë, bisedimet kishin të bëjnë vetëm me një pikë të marrëveshjes së 2 qershorit, dhe fatmirësisht liderët u pajtuan dhe arritën zgjidhje kompromisi që të kapërcejnë ngërçin politik“, ka deklaruar Artan Grubi nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Marrëveshja e arritur me ndërmjetësimin e komisionerit për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, parasheh dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski më 15 dhjetor dhe nisjen e procedurave për formimin e një qeverie kalimtare deri më 15 janar, e cila do të kishte mandat për organizimin e zgjedhjeve të parakoshme parlamentare të caktuara, më 24 prill.

Opozita në qeverinë e re do të drejtojë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punës dhe Politikes Sociale ndërsa në tre ministri të reja, zëvendësministrat e saj do të kenë të drejtën e vetos ndaj çdo vendimi të ministrit që do të jetë nga radhët e partisë së Gruevskit.

Ndërkohë, afera e përgjimeve që edhe shkaktoi krizën do të hetohet nga një prokuror special që do të zgjedhet deri më 15 shtator me pajtimin e të gjitha partive politike.

XS
SM
MD
LG