Ndërlidhjet

Obama – urime Jahjagës për Bajram


Barack Obama, Atifete Jahjaga dhe Michelle Obama, gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë më 25 shtator të vitit 2014

Barack Obama, Atifete Jahjaga dhe Michelle Obama, gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë më 25 shtator të vitit 2014

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka dërguar një telegram urimi presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e festës së Bajramit, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

“Populli amerikan bashkohet me mua dhe Michellen në përcjelljen e dëshirave tona më të mira juve dhe popullit të vendit tuaj në festimin tuaj të Bajramit të Madh”, thuhet në fillim të telegramit të zotit Obama.

Mëtutje, theksohet se “gjatë Ramazanit, myslimanët në mbarë botën, duke përfshirë edhe komunitetin e fortë dhe dinamik mysliman të Amerikës, janë munduar që të jenë më afër me Zotin, nëpërmes ripërtritjes shpirtërore dhe veprave të besnikërisë fetare”.

Zoti Obama në urimin e tij tha se kjo gjë ishte, po ashtu, “një mundësi për të kaluar më shumë kohë me të dashurit tanë, të ndihmohen ata që kishin më pak fat dhe të mendojmë më thellë për mençurinë dhe paqen, të cilat rrjedhin nga besimi”, dhe ka shtuar se “gjatë ritualeve të agjërimit dhe lutjeve, të rikujtojmë vlerat të cilat të gjithë ne i ndajmë dhe njerëzimin tonë të përbashkët”.

Në fund, presidenti amerikan, Barack Obama, uron që “viti që vjen t’ju sjellë gëzim, prosperitet dhe mirëqenie”.

XS
SM
MD
LG