Ndërlidhjet

Kosova e cila vazhdimisht po i bën thirrje investitorëve të huaj të vijnë dhe të investojnë kapitalin e tyre në këtë shtet, nuk ka arritur ende të krijojë ambient të përshtatshëm biznesor.

Përveç shumë mangësive tjera që ka ky shtet në të bërit biznes, del se njëra prej barrierave që investitorëve të huaj iu paraqitet është fuqia punëtore e pakualifikuar.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se institucionet arsimore po përgatisin fuqi punëtore e cila nuk është adekuate për kërkesat e tregut të punës.

“Kurdo që rritet vëllimi i investimeve të huaja kjo fuqi punëtore nuk do të jetë në gjendje të plotësojë kërkesat e investitorëve të huaj. Pra, një prej vërejtjeve kryesore të investitorëve të huaj është se në Kosovë tregu i punës nuk ofron shkathtësitë e duhura që kërkohen nga ana e këtyre investitorëve të huaj".

"Kjo tashmë është përfshirë si e gjetur në shumë raporte apo studime që janë kryer jo vetëm nga Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës, por edhe nga organizatat tjera që përfaqësojnë interesat e biznesit në Kosovë", shprehet Zeka.

Sipas hulumtimeve të bëra, thuhet se në Kosovë më së shumti mungojnë inxhinier të profileve të ndryshme, profesionistë me përvojë pune në fushën e telekomunikacionit, kibernetikës, energjisë dhe në disa lëmi tjera.

Ishte theksuar se shumë punë që ishin kryer në ndërtimin e Terminalit të ri në Aeroportin e Prishtinës është dashur që të vjen fuqi punëtore nga Turqia, për arsye se fuqia punëtore në Kosovë nuk e ka pasur specializimin e duhur.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 270 mijë është numri i punëkërkuesve në zyrat e regjistrimit për punësim në tërë territorin e Kosovës, kurse shumica prej tyre janë të pakualifikuar.

Njohës të çështjeve të arsimit në Kosovë, ndërkohë vazhdimisht kanë potencuar se studentët në Kosovë po dalin të papërgatitur për tregun e punës. Dukagjin Popovci, ekspert i arsimit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se autoritetet arsimore duhet të marrin masa konkrete lidhur më këtë çështje.

“Nevojitet që të rishikohen programet mësimore dhe metodat në mënyrë që studentët të cilët diplomojnë, t’i përshtaten më mirë kërkesave të tregut të punës. Një problem tjetër që ka Kosova si treg i vogël dhe me një ekonomi të varfër nuk mund t’i absorbojë të gjithë ata që diplomojnë, prandaj ne duhet të llogarisim se njerëzit tanë duhet të jenë të përgatitur për një treg më të gjerë, për tregun e punës në rajon, respektivisht për tregun evropian”, shton Popovci.

Institucionet arsimore në Kosovë, edhe sipas drejtorit ekzekutiv të Odës EkonomikeAmerikane në Kosovë, Arian Zeka, duhet të shohin se cilat janë kërkesat momentale të investitorëve të huaj.

“Për shkak të zhvillimeve të shpejta anë e mbarë botës, institucionet arsimore duhet t’i shohin se cilat janë trendwt botërore në tregun e punës dhe të njëjta të aplikohen edhe tek ne. Ajo çfarë mund të bëjë shteti në këtë drejtim, e para është të ndikojë në ndryshimin e planprogrameve të universiteteve, të nxjerr njerëz të denjë, që ata pastaj të mund të mbështesin qëllimet e kompanive”, thekson Zeka.

Investimet e huaja në Kosovë shihen si gati e vetmja mundësi që i ka mbetur Kosovës për zhvillim ekonomik. Por, sidoqoftë këto investime sipas të dhënave të Bankës Qendrore, kanë shënuar rënie të mëdha.

Derisa në vitin 2007 vlera e investimeve të huaja ishte rreth 450 milionë euro, në vitin 2014 kjo shifër është jo më shumë se rreth 150 milionë euro.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG