Ndërlidhjet

Më shumë remitenca sesa investime


Ilustrim
Ilustrim

Dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, paraqesin kategorinë më të madhe të të hyrave në Kosovë. Madje, remitencat kalojnë edhe investimet e huaja direkt në vend, të cilat mund të sjellin përfitime.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, vlera e remitencave në vitin 2012 ka qenë 605 milionë euro, kurse ajo e investimeve 229 milionë euro.

Në vitin 2013 dërgesat kanë arritur në mbi 620 milionë euro, kurse investimet ishin 280 milionë euro. Ndërkaq, vitin e kaluar dërgesat e mërgimtarëvekanë arritur në 693 milionë euro, kurse investimet kanë rënë në 151 milionë euro.

Diferenca e vlerës në mes investimeve dhe remitencave është absurde për ekspertë për çështje ekonomike. Ata konsiderojnë se ambienti i pafavorshëm për investime të huaja, ka bërë që situata ekonomiko- sociale të jetë e pafavorshme.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova është shndërruar në një hapësirë mjaft interesante ku menaxhimi i parasë është futur në një situatë mjaft të vështirë.

Arsye e nivelit të ulët të investimeve të huaja janë barrierat e të bërit biznes në Kosovë, ndërkaq emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së të gjitha problemeve ekonomike, sipas Gërxhaliut, është sundimi rendit dhe ligjit.

“Është një hezitim, i cili po e pengon qytetarin e Kosovës, në veçanti diasporën të investojë në projekte kapitale, qoftë në prodhim, qoftë në fusha tjera. Dhe, tërë kjo e karakterizon faktin se krahas rritjes së remitencave në Kosovë, që janë të dedikuara dhe destinuara për konsum, e kemi një rritje të deponimeve bankare që kanë kaluar mbi 2 miliard e gjysmë euro të qytetarëve të Kosovës”, thotë Gërxhaliu.

Ndryshe, Kosova konsiderohet si një ndër shtetet me më së shumti dërgesa të emigrantëve. Afër 300 euro në muaj, vlerësohet se qytetarët e Kosovës pranojnë remitenca, ku në të shumtën e rasteve, këto dërgesa shfrytëzohen për konsum familjar.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, njëherësh ish-anëtar i bordit në Bankën Qendrore të Republikës se Kosovës, thotë se autoritetet kompetente, por edhe shoqëria, në përgjithësi, duhet të vetëdijesohet, që këto mjete përmes ligjeve dhe strategjive t’i orientojnë në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“Shumë shtete të Ballkanit perëndimor janë pozitive nga hyrja e remitencave. Për shembull Turqia, Bullgaria, Maqedonia, por edhe Shqipëria që janë vende marrëse të remitencave, kanë bërë disa stimulime, propozime që një pjesë e kapitalit që vjen nga remitencat së bashku me kapitalin vendor, ( të bankave vendore apo fondeve të ndryshme zhvillimore që i formojnë shtetet), të përdoren për hapjen e vendeve të reja të punës”, thekson Bektashi.

Ndryshe, ajo që mbetet shqetësuese në mënyrën e shpenzimit të remitencave, sipas Safet Gërxhaliut, është se pjesa më e madhe e këtyre dërgesave, eksportohen jashtë shtetit si para të gatshme, për shkak të nivelit të lartë të produkteve të importuara.

“Produkti i vetëm që Kosova eksporton brenda vitit kalendarik janë paratë e gatshme. E them këtë bazuar në faktin se më tepër se 82 për qind e të gjitha produkteve importohen dhe krahas importit të produkteve nga vende e tjera, importohet edhe inflacioni”.

“Dhe, për fat të keq, të gjitha mjetet e dedikuara për ndihmë në Kosovë që vijnë nga diaspora, janë paraprakisht të paragjykuara apo të gjykuara që të jenë të eksportuara për import. Dhe, në këtë drejtim, nuk i bëhet nder Kosovës dhe as zhvillimit ekonomik të saj, por stimulohet shumë më tepër zhvillimi ekonomik i vendeve të rajonit”, vlerëson Gërxhaliu.

Ajo që vërehet në të dhënat e Bankës Qendrore është se që nga viti 2008, kur investimet e huaja për çdo vit shënojnë rënie, gjatë kësaj periudhe vazhdimisht ka rritje të remitencave.

Kurse, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në katër muajt e parë të këtij viti, vlera e investimeve të huaja ka arritur në 128.3 milionë euro, ndërkaq 210.9milionë euro janë remitencat, krahasuar me 182.2 milionë euro apo 28.7 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG