Ndërlidhjet

Çarshia e Shkupit vuan nga mosinteresimi i blerësve


Çarshia e Shkupit

Çarshia e Shkupit

Çarshia e Shkupit mbetet pika më atraktive për turistët e huaj, megjithëse zejtarët thonë se interesimi për prodhimet vendore të punuara me dorë, është gjithnjë e më i vogël.

Fisnik Hasani, i cili ka një dyqan të çantave, thotë se mbijeton nga interesimi i turistëve për të blerë diçka që është e punuar me dorë.

“Po turistët më shumë janë të interesuar të blejnë diçka të prodhuar në këtë vend, të jetë origjinale. Kërkojnë diçka më të veçantë që t’i mbetet kujtim nga ky vend”, thotë Fisniku.

Ndërkaq Xhemail Çelebiu rrobaqepës, thotë se kryesisht merret me riparimin e rrobave, sepse vështirë se dikush vendos të qep një “palë petka të reja e enkas nga ustai” në këtë kohë kur tregu është i vërshuar nga prodhimet me çmim shumë më të ulët që vjen nga lindja.

“Po më tepër ka të interesuar për korigjime. Unë kam ardhur nga Evropa para një viti e gjysmë dhe e kam hapur këtë dyqan, atje vlerësohej puna e dorës, vinin enkas për të bërë një palë rrobe, pa problem jepnin 1500 euro, këtu nëse i kërkon 50 euro thotë i blej më lirë”, thotë ai.

Rruga e argjendarëve është e frekuentuar, por vetëm për të vëzhguar thonë dyqanxhinjtë.

Erdinç Dalip, thotë se ka pasur shpresë se vlugu i sezonit të dasmave do të ndikojë pozitivisht në shitje, por siç na rrëfen, kriza ekonomike ka bërë që shumica e qytetarëve të hyjnë në dyqanin e tijdhe vetëm të pyesin për ofertat dhe çmimet, por vështirë se vendosin për të blerë diçka nga ari ose argjendi.

“Po duket se kriza ka bërë të veten, më shumë jemi duke ndenjur pa punë sesa kemi punë. Dasma ka po njerëzit s’kanë para, i presin ata të cilët punojnë jashtë … kërkojnë diçka që është më lirë” thotë Erdinç.

Menduh Kajolli që punon me antikitete, na rrëfen se para dy vitesh e ka mbyllur dyqanin e zdrukthëtarisë dhe ka hapur një dyqan me antikitete, pasi sipas tij asnjëherë nuk iu del moda.

“Po ka interesim për tepihët e punuara me dorë. Unë më parë s’kam pas fare nevojë të shkojë në Gjemani, këtu e kam pas Gjermaninë duke punuar në dyqanin tim 30 vite, kam bë me të shtëpinë, kam pasur shtatë punëtorë, por tash u detyrova ta mbyllë”.

Për dallim nga zejtarët, Adnai që menaxhon një nga çajtoret e çarshisë së vjetër, thotë se çaji dhe kafeja turke gjithmonë janë të kërkuara, dhe çmimet e lira bëjnë që çarshia të jetë pikëtakimi më i dëshirueshëm.

“Çarshia e vjetër e ka atë “hirin” e vet, çdokush dëshiron të shkojë për një çaj ose kafe në çarshi sepse këtu është freskët, bukur, muzika është e ulët , qetësi është dhe mund të pushosh trurin”, thotë Adnani.

Përderisa çarshia e vjetër mbetet pika më atraktive e Shkupit edhe në këto ditë të nxehta, të paktën për ta vizituar, afaristët mbeten me shpresë se për ta do të këtë më shumë punë pasi të realizohet kërkesa e tyre drejtuar dikasterit të ekonomisë që kjo pjesë të bëhet “brendi i Maqedonisë”.

XS
SM
MD
LG