Ndërlidhjet

logo-print

Pakënaqësi me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit


Ohër...

Ohër...

Të enjten u mbushën 14 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur në vitin 2001, por edhe kaq vite nga arritja e kësaj marrëveshjeje, shumë çështje kanë mbetur pezull, pa epilogun e pritur sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat kombëtare të shqiptarëve.

Kështu vlerëson Naser Zyberi, një nga ekspertët shqiptar, pjesëmarrës në bisedimet për arritjen e marrëveshjes së Ohrit.

“Edhe 14 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit mund të flitet në një formë të zbehur për këtë marrëveshje sepse pritjet e qytetarëve shqiptarë nuk janë realizuar. Mund të thuhet se gati në të gjitha segmentet kanë mbetur ende shumë çështje pa u realizuar".

"Këtu mund të flitet për ngecjet në realizimin e përcaktimit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në sektorin publik, në administratë, mund të flitet për zgjidhje jokualitative, siç është përdorimi i gjuhës shqipe, i simboleve kombëtare e kështu me radhë", thotë Zyberi duke shtuar se defekti më i madh qëndron në atë se partitë politike nuk e kanë kuptuar rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit për ndryshimin e sistemit politik në Maqedoni.

Kjo marrëveshje ishte paraparë të zbatohet katër vite që nga arritja e saj me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së.

Marrëveshja e Ohrit më tepër përdoret si instrument për realizimin e interesave të ngushta partiake dhe qëndrimi i partive shqiptare ndaj kësaj marrëveshjeje ndryshon varësisht nga pozita që kanë në pushtet".

"E gjithë kjo e zbeh këtë marrëveshje dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptar janë zvogëluar lidhur me efektet e saj, për dallim nga viti 2001 kur shpresat ishin të mëdha, por gjatë këtyre 14 viteve partitë shqiptare u treguan të afta për zbatimin e saj në afatet e përcaktuara, në mënyrë cilësore dhe frymën që ajo bartë me vete“, thekson Zyberi.

Por, ndryshe nga ai, Lubomir Fërçkovski, po ashtu pjesëmarrës në bisedimet për arritjen e marrëveshjes së Ohrit vlerëson faktin se me të është arritur të ruhet karakteri unitar i shtetit, apo sovraniteti dhe tërësia territoriale e Maqedonisë.

Ai thotë se Marrëveshja e Ohrit është dokumenti i vetëm që çështjet etnike i ka zgjidhur në kuadër të shtetit për dallim nga shtetet tjera të rajonit të përfshira po ashtu në konflikte ku çështjet janë zgjidhur mbi baza territoriale.

“Marrëveshja e Ohrit që i dha fund luftës është një marrëveshje e suksesshme shikuar nga disa aspekte. Ajo e ndërtoi shtetësinë e Maqedonisë dhe nuk e shkatërroi atë. Ajo ruajti karakterin unitar të shtetit, u ruajt tërësia territoriale e vendit".

"Kjo marrëveshja bazohet në disa parime që nuk ishin zbatuar nga bashkësia ndërkombëtare në Bosnjë, me marrëveshjen e Kumanovës për Kosovës apo atë për Sllavoninë lindore në Kroaci. Marrëveshja e Ohrit dëshmoi se të drejta kombëtare mund të fitohen edhe pa ndarje territoriale“, thotë Fërçkovski.

Ai veçon parimin e Badenterit, apo votimin e dyfishtë që kanë fituar, sipas tij, bashkësitë etnike që për çështje që kanë të bëjnë me aspektet kulturore ato mund të përdorin veton gjatë miratimit të ligjeve.

Ndërkohë sa i përket aspektit tjetër të bashkëjetesës apo mirëbesimit mes dy komuniteteve më të mëdha në vend, Naser Zyberi thotë se ai mund të ndërtohet dhe kjo parashihet edhe me Marrëveshjen e Ohrit, por sipas tij, janë partitë politike që edhe raportet ndëretnike i shfrytëzojnë për qëllime politike.

“Mirëbesimi mund të ndërtohet pasi ai nuk është edhe aq i dëmtuar siç e paraqesin elitat politike. Madje elitat politike e pengojnë ndërtimin e besimit mes qytetarëve, kuptohet duke e shfrytëzuar këtë si element për realizimin e qëllimeve të tyre politike“, thotë Naser Zyberi, një nga ekspertët shqiptarë, pjesëmarrës në bisedimet për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit.

XS
SM
MD
LG