Ndërlidhjet

logo-print

Kosova dhe Serbia nënshkruajnë katër marrëveshje

  • RFE /RL

Bruksel, pas arritjes së marrëveshjes

Bruksel, pas arritjes së marrëveshjes

Kosova dhe Serbia kanë arritur të martën të merren vesh, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, dialog ky i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, tha se “katër marrëveshje u nënshkruan pas një dite të gjatë të dialogut Serbi – Kosovë”.

Në rrjetin Twitter ajo ka theksuar se kjo është “e arritur madhore në procesin e normalizimit”.

Janë nënshkruar marrëveshjet për Asociacionin e komunave me popullatë shumicë serbe, për telekomunikimin, për energjetikën dhe për të ashtuquajturin “Park i paqes”.

Nënshkrimin e marrëveshjeve e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Kryeministri, duke folur për transmetuesin publik të Kosovës, RTK, tha se të gjitha marrëveshjet janë arritur në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duke theksuar se kjo është një "fitore për Kosovën".

Sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Isa Mustafa tha se roli i këtij Asociacioni nuk do të jetë ekzekutiv.

"Baza ligjore apo legale e Asociacionit janë ligjet e Republikës së Kosovës dhe ato nuk lejojnë që të kenë asnjë kompetencë ekzekutive në Kosovë. Ndërkaq, Asociacioni mund t'u ndihmojë komunave me shumicë serbe që ato të rrisin efiçencën e veprimtarisë së vetë në shumë fusha. Por, ne me këtë nuk kemi lënë asnjë mundësi që të lindë një Republikë serbe, ashtu siç është në Bosnjë", tha Mustafa.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se marrëveshjet e arritura në Bruksel, garantojnë siguri për serbët në Kosovë.

“Sonte vendoset bashkësia e komunave serbe, e cila do të ketë kompetenca të gjera, do të ketë kryetarin, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën, flamurin…do të mund të financohet nga Serbia”, i tha zoti Vuçiq transmetuesit publik në Serbi, RTS, duke premtuar se përmbajtja e të gjitha marrëveshjeve do të publikohet.

Sipas tij, delegacioni nga Serbia gjithë ditën ka biseduar me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe se fare në fund është takuar me delegacionin nga Kosova.

Bisedimet u thirrën në prag të samitit të Vjenës, ku liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen me liderët e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, në mesin e tyre kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Zyrtarët evropianë kanë thënë se presin që kësaj radhe përfundimisht të ketë marrëveshje.

Përparimi në dialog, përkatësisht në normalizimin e marrëdhënieve, është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të avancojnë drejt integrimit në BE.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG