Ndërlidhjet

Hungaria hedh poshtë kritikat e Francës


Ngritja e mureve të reja
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:59 0:00

Ngritja e mureve të reja

Hungaria i ka kundërshtuar kritikat e ministrit të Jashtëm francez, Laurent Fabius, për mënyrën se si Budapesti e menaxhon tranzicionin e mijëra migrantëve në Gjermani dhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, në një deklaratë mbrëmë vonë, tha se në vend “të goditjes dhe vlerësimeve të pabaza, dikush do të duhej të koncentrohej në gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për Evropën”.

Këto komente u bënë pasi ministri francez tha se barriera me tela gjemborë, që aktualisht Hungaria e ka përfunduar përgjatë kufirit me Serbinë, nuk “i respekton vlerat e përbashkëta” evropiane.

“Hungaria nuk po i respekton vlerat e përbashkëta të Evropës. Rrjedhimisht, autoritetet evropiane duhet të kenë diskutime serioze, bile diskutime të ashpra, me zyrtarët e vet”, tha Laurent Fabius.

Hungaria është kritikuar për shkak të përpjekjeve të saj për ndaljen e mijëra migrantëve dhe refugjatëve nga Siria, Afganistani dhe Afrika Veriore, që hyjnë nga Serbia në Hungari, duke e ndërtuar barrierën me tela gjemborë prej 175 kilometrash përgjatë kufirit me Serbinë, që së shpejti do të përforcohet me mur betoni të lartë katër metra.

Kritika ka pasur edhe për politikat strikte të Hungarisë për vendosjen e migrantëve në kampe dhe që aktualisht nuk u është lejuar të udhëtojnë me trena për Austri dhe Gjermani, ku shumica e refugjatëve dëshiron të shkojë.

Mospajtimet ndërmjet Hungarisë dhe Francës u paraqitën derisa zyrtarët gjermanë, francezë dhe britanikë, dje kanë kërkuar që Bashkimi Evropian të ndërmarrë “hapa konkretë” për ta menaxhuar krizën e migrimit e cila po përshkallëzohet.

Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere, ministri i Brendshëm francez Bernard Cazeneuve, dhe sekretarja e brendshme e Britanisë, Theresa May, në një deklaratë të përbashkët, kanë kërkuar procesim më të mirë të refugjatëve që arrijnë në pjesën jugore të Evropës.

Në deklaratë, po ashtu, theksohet nevoja e krijimit të qendrave në Greqi dhe Itali, deri në fund të këtij viti, për të siguruar se migrantët regjistrohen dhe u merren gjurmët e gishtërinjve, në mënyrë që autoritetet me të shpejtë do t’i identifikojnë ata që kanë nevojë për mbrojtje.

Zyrtarët kanë kërkuar një takim special të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, brenda dy javësh për të diskutuar për këtë krizë.

Nga ana tjetër, policia e Hungarisë ka njoftuar se e kanë arrestuar edhe të dyshuarin e pestë, një bullgar, lidhur me vdekjen e 71 migrantëve, që janë gjetur në një kamion të braktisur në Austri, para disa ditësh.

Prej të dyshuarve, katër janë bullgarë ndërsa një është afgan. Të gjithë ata mbeten në paraburgim për një muaj.

Kjo gjetje ka shkaktuar indinjatë ndërkombëtare.

Papa Françesk i ka dënuar këto vdekje dhe ka kërkuar bashkëpunim efektiv për evitimin e “krimeve të tilla, që janë fyerje për gjithë njerëzimin”.

“Për fat të keq, gjatë ditëve të kaluara një numër i migrantëve e humbën jetën gjatë udhëtimeve të tyre të tmerrshme. Lutem për ta dhe kërkoj që edhe ju të luteni për këta vëllezër dhe motra, për 71 viktimat, në mesin e tyre katër fëmijë, që janë gjetur në një kamion në autostradën ndërmjet Budapestit e Vjenës”, tha Papa Françesk, të dilelën në Vatikan.

Kombet e Bashkuara thonë se deri tash këtë vit, afro 300 mijë njerëz janë larguar nga lufta dhe vështirësitë ekonomike në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, për në Evropë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG