Ndërlidhjet

Mustafa: Synojmë anëtarësim në INTERPOL dhe EUROPOL


Foto arkivi

Foto arkivi

Kosova synon të jetë pjesë e aleancës globale për siguri dhe stabilitet, duke u angazhuar në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, ka thënë të premten kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.

Këto komente ai i bëri në Prishtinë, gjatë ceremonisë së shënimit të 16 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

Duke iu referuar sfidës globale të luftimit të terrorizmit dhe ekstremizmit, Mustafa tha se në Kosovë aktualisht po punohet në një strategji e cila kërkon përfshirjen e të gjithë mekanizmave, duke besuar se gradualisht Kosova do të anëtarësohet në INTERPOL dhe EUROPOL.

"Tani ne po e përfundojmë strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm dhe kjo strategji kërkon një sinergji të të gjitha subjekteve shtetërore dhe sociale ët vendit tonë. Kemi synime të bëhemi pjesë e aleancës globale për siguri e stabilitet, prandaj presim edhe përkrahjen për anëtarësimin tonë në INTERPOL dhe EUROPOL", ka thënë Mustafa.

Forcimi i shtetit ligjor, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe mbrojtja e pronës publike e private dhe krijimi i kushteve për investimet e jashtme, mbeten prioritete tjera, ka thënë në vijim Mustafa.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni ka potencuar rëndësinë e ruajtjes së partneritetit që ka Kosova me vendet mike perëndimore si në fushën e sigurisë ashtu edhe në kuadër të rrumbullakimit të subjektivitetit të saj si shtet në arenën ndërkombëtare.

"Partneriteti dhe bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe vendet veç e veç të BE-së, janë të pazëvendësueshme dhe ne do të vazhdojmë në këtë rrugë, sepse vendi i Kosovës është në BE, në NATO, në OKB", ka theksuar Hyseni.

Jo vetëm Kosova, por e gjithë bota sot përballet me sfida nga më të ndryshme në rrafshin e sigurisë, ka theksuar në anën tjetër Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Luftimi i krimit, ka vijuar ai, po bëhet më i sofistikuar, çka kërkon edhe një angazhim të gjithanshëm ndërkombëtar për të luftuar atë.

"Sot jemi duke u përballur me një rritje edhe më komplekse të sfidave të sigurisë, siç janë krimi i organizuar, radikalizmi dhe terrorizmi, trafikimit me qenie njerëzore, korrupsioni e krimet financiare, llojet e ndryshme të kontrabandës dhe lloje tjera të krimeve. Këto sfida të njëjtën kohë janë edhe sfida globale", ka thënë Maxhuni.

Duke qenë se sfida të ngjashme nga fusha e sigurisë kanë edhe shtetet tjera, edhe Shpend Maxhuni ka potencuar se përballja me to më së miri mund të arrihet me anëtarësimin e Policisë së Kosovës në organizatat më të mëdha ndërkombëtare policore siç janë INTERPOL-i e EUROPOL-i.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG