Ndërlidhjet

Prishtina fajëson Beogradin se nuk po ofron informacione për të pagjeturit


Foto nga Prishtina, për Ditën Ndërkombëtare për Personat e Pagjetur, 30 gusht...

Foto nga Prishtina, për Ditën Ndërkombëtare për Personat e Pagjetur, 30 gusht...

Autoritetet e Serbisë nuk po bashkëpunojnë në ofrimin e informacioneve për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të luftës, kanë deklaruar të martën në Prishtinë përfaqësues të lartë të institucioneve të Kosovës.

Gjatë një diskutimi të organizuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë me temën: "Personat e zhdukur - rruga përpara", është diskutuar për shkëmbimin e informatave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të luftës, rolin e mjekësisë ligjore në procesin e identifikimit dhe kthimin e eshtrave te familjarët për varrimin e tyre.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar me këtë rast se beteja për të zhdukurit po shndërrohet në një nga ankthet më të vështira të luftës që lidh shoqërinë me të tashmen dhe të kaluarën.

Ajo ka fajësuar autoritetet serbe për përparimet e ngadalshme, duke thënë se në Beograd nuk ka gatishmëri të mjaftueshme për bashkëpunim.

"Qytetarët tanë duan ta dinë vendndodhjen dhe duan drejtësi. Jo hakmarrje. Pajtimi ka kuptim vetëm atëherë kur mbyllen plagët e rënda të luftës. Prandaj duhet të hapim një kapitull të ri në Ballkan, jo për të harruar atë që ka ndodhur, por për të mos e përsëritur asnjëherë atë se çfarë ka ndodhur", ka deklaruar Jahjaga.

Presidentja e Kosovës ka thënë po ashtu se ka pasur shumë herë iniciativa për të zbardhur fatin e të pagjeturve, por përparimi ka qenë i ngadalshëm.

Pas vendosjes së një bashkëpunimi në të kaluarën, gjatë vitit 2015, kishte ngecje të dukshme në shkëmbimin e informatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ka deklaruar në anën tjetër, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.

"Në vitin 2015, shkëmbimi i informatave për të qartësuar fatin e personave të zhdukur praktikisht u ndal dhe arsyet mendoj se ishin si politike, ashtu edhe operacionale", ka thënë Zbogar.

Ai i ka ftuar qeveritë në Prishtinë dhe Beograd që të rivendosin bashkëpunimin si rrugën e vetme që shpie deri te zbulimi i vendndodhjes së varrezave, kryesisht masive, ku gjatë luftës ishin hedhur trupat e pajetë të këtyre viktimave.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi e ka fajësuar vetëm palën serbe për ngecje në shkëmbimin e informatave.

Sipas tij, informatat ndodhen në Serbi, por ky vend nuk ka treguar gatishmëri që t'i ofrojë ato. Ai ka folur edhe për disa veprime konkrete që janë bërë dy vitet e fundit, kryesisht në zbulimin e varrezave masive, identifikimin përmes mjekësisë ligjore dhe dorëzimin e eshtrave te familjarët.

"Gjatë vitit 2014, eshtrat e 69 personave të zhdukur pas identifikimit janë kthyer tek familjet përkatëse. Punimet po kryhen në tri lokacione në territorin e Serbisë, nga të cilat në Rudnicë kanë rezultuar me eshtra të pagjeturve. Deri më tash janë identifikuar 53 viktima të luftës në atë vend", ka thënë Kuçi.

Bazuar në statistikat zyrtare të prezantuara në këtë konferencë nga ministri i Drejtësisë, u tha se ka edhe 1655 persona të pagjetur të luftës.

Në këtë konferencë ka folur dhe ish-presidentja e Finlandës, Tarja Halonen, e cila kryesisht është përqëndruar në rolin e mjekësisë ligjore në kuadër të identifikimit të eshtrave, si një proces kompleks për të cilin Bashkimi Evropian, dhe Finlanda kanë kontribuuar përmes misionit të EULEX-it në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG