Ndërlidhjet

Sallova: Kosova ka 12 milionë metra katrorë të minuara


Ahmet Sallova

Ahmet Sallova

Në Kosovë janë ende 128 zona të prekuara nga minat dhe mjetet tjera të pashpërthyera, apo 12 milionë metra katrorë të minuara, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Ahmet Sallova, shef i Qendrës Koordinuese për Deminim në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Prej pas luftës në Kosovë e deri më tash, sa mjete shpërthyese janë deminuar?

Ahmet Sallova: Edhe pse shumë nga fushat e rrezikshme të njohura tashmë janë pastruar, ende në Republikën e Kosovës ekzistojnë zona të afektuara nga minat apo mjetet tjera eksplozive të pashpërthyera. Minat dhe municionet e pashpërthyera eksplozive do të vazhdojnë të gjinden në Republikën e Kosovës për shumë vite që do të vijnë.

Në të vërtetë njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës që zhvillojnë aktivitetet e pastrimit, ndeshen edhe me mjete të ndryshme eksplozive që datojnë që nga Lufta e Dytë Botërore. Qe nga viti 1999 janë pastruar mbi 49 milionë metra katror dhe janë gjetur 87 mijë e 799 mina dhe mjete eksplozive të pashpërthyera, nga të gjitha organizatat e involvuara në pastrimin e minave dhe mjeteve eksplozive të pashpërthyera.

Prania e vazhdueshme e zonave të minuara dhe mjeteve tjera të pashpërthyera në zonat e afektuara nga to, nuk përbën vetëm një rrezik për jetën e banorëve, por vështirëson edhe gjendjen ekonomike të tyre për shkak të mospërdorimit të këtyre tokave bujqësore dhe zonave malore. Meqenëse një pjesë e madhe është pastruar deri më tash në zona malore ende shfaqen mina dhe mjete të ndryshme shpërthyese të lëna nga forcat paramilitare serbe.

Radio Evropa e Lirë: A ekzistojnë ende zona të minuara në Kosovë dhe a janë të evidentuara?

Ahmet Sallova: Në vendin tonë ekzistojnë ende 128 zona të afektuara nga minat dhe mjetet e tjera të pashpërthyera, që përkthyer në metra katror janë 12 milionë metra katror, dhe janë të shënjuara me shenja rreziku. Popullata lokale janë të informuar për zonat ku gjinden mjete shpërthyese,por ende vazhdojnë të raportojnë zona të ndryshme, e që deri më sot nuk kemi qenë në dijeni se kanë qenë aty.

Kryesisht zonat e minuara kanë qenë përrreth kufirit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Qëllimi i minave nëpër këto zona ka qenë ndalimi i qarkullimit të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që i kanë shfrytëzuar ato zona për furnizim me armatim.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë kapacitetet e Kosovës për hulumtimin dhe pastrimin e zonave të minuara?

Ahmet Sallova: Njësitë e FSK-së punojnë për çdo vit nga pesë lokacione të ndryshme. Nga fillimi i operacione të deminimit në vitin 2010 kanë pastruar 1 milion e 400 mijë metra katrorë dhe janë gjetur e demoluar 1,891 mjete te ndryshme eksplozive te pashpërthyera.

Përveç njësive që zhvillojnë operacionet e deminimit humanitar, FSK ka edhe dy njësi kujdestare intervenuese që punojnë 24 orë, 7 ditë në javë për intervenime në rastet kur qytetarët hasin në mjete të ndryshme eksplozive dhe lajmërojnë për largimin e tyre.

Pastaj vijnë ekipet tjera për pastrim në bazë të prioriteteve. Janë edhe disa organizata deminuese tjera që ndihmojnë dhe njësitë mbështetëse me qenë, e që financohet nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Radio Evropa e Lirë: A ekziston evidencë e numrit të viktimave nga minat?

Ahmet Sallova: Po ekziston. Fatkeqësisht prej vitit 1999 janë vrarë si pasojë e minave 116 persona dhe 459 janë lënduar. Po apeloj që çfarëdo mjete të dyshimtë që shohin qytetarët, të mos i prekin, por të lajmërojnë policinë dhe më pastaj ekipa e specializuar do të merret me demontim.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Sallova, a ka ndodhur ndonjë aksident me pjestarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës së gjatë demontimit të minave?

Ahmet Sallova: Pjestarët e FSK e kryejnë punën e tyre në mënyrë shumë profesionale dhe gjatë demintimit për fat të mirë asnjë aksident nuk ka ndodhur me ta gjatë zhvillimit të aksionit të dominimit.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG