Ndërlidhjet

Vizita shtëpiake mjekësore - për rritje të cilësisë së shërbimeve


Ilustrim
Ilustrim

Për shëndetin e nënës dhe fëmijës, të moshuarve si dhe personave me nevoja të veçanta, në pesë komuna të Kosovës, po kujdeset stafi shëndetësorë i Qendrave të Mjekësisë Familjare, me kontrollet shëndetësore shtëpiake.

Kështu ka thënë ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se ky projekt është në zgjerim e sipër.

"Punëtorët shëndetësorë merren me evidentimin dhe vizitat shtëpiake në familje. Do të shtrihet edhe tek nejërëzit me nevoja të veçanta, që nuk kanë mundësi të vizitojnë institutcionet shëndetësore".

"Me këtë projekt është paraparë të bëhen vizita shtëpiake nga ekipe mjekësh të Qendrave të Mjekësisë Familjare. Gjithashtu theksin e veçantë e ka edhe te ngritja e edukimit shëndetësor te popullata e re, si dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore", tha Rrahmani.

Besim Kodra, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, ka thënë se vizitat shtëpiake do të ndikojnë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore tek pacientët.

"Kjo është një e mirë që po i ndodh vendit, pasi do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve sidomos për personat në nevojë si të moshuarit, fëmijët dhe do të ndikojë në preventivën e shumë sëmundjeve që mund të rriten për shkak të kujdesit të vonuar që ka ndodhur deri tani".

Sami Uka, zyrtar në zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka bërë të ditur se një projekt i tillë duhet të jetë gjithpërfshirës dhe i vazhdueshëm, në mënyrë që të rritet cilësia e shërbimeve shëndetësore.

"Lidhur me vizitat shtëpiake, Organizata Botërore e Shëndetësisë është në favor të tyre me kusht që ato të zhvillohen në kuadër të sistemit ekzistues dhe që do të garantonte një vazhdimësi të vizitave si dhe gjithpërfshirje".

"Ne jemi deklaruar edhe më herët që nuk jemi në favor të asaj që të bëhen pjesë të caktuara të vizitave, por të sigurohen cilësi të shërbimeve dhe gjithpërfshirje përmes sistemit të mjekësisë familjare dhe listave të pacientëve", tha Uka.

Ndryshe përfshirja e shërbimeve të vizitave shtëpiake, është bërë në bashkëpunim mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF.

Sipas autoriteteve shëndetësore, UNICEF ka përkrahur çasjen e vizitave shtëpiake në mbështetje të procesit të reformës shëndetësore.

XS
SM
MD
LG