Ndërlidhjet

Problemet në fushën e farmaceutikës në Kosovë janë të mëdha. Mungesa e barnave të regjistruara në tregun farmaceutik është njëra nga problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët.

Zyrtarë nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale, kanë bërë të ditur se aktualisht mbi 700 molekula në rreth 3 mijë forma farmaceutike janë të regjistruara në Kosovë.

Por pacientët po përballen me mungesë të barnave që i përdorin si terapi ditore.

Një qytetare e cila deshi të mbetej anonime (emri i njohur për redaksinë), përdor ilaçin Zigabal, ilaç që përdoret për sulme epileptike. Ajo thotë se në asnjë barnatore në Kosovë, nuk ka mundur ta gjejë këtë ilaç, me pretekstin se është tërhequr nga tregu.

Ajo thotë se ndërprerja e ilaçit, të cilin e quan jetik, është shumë i dëmshëm dhe i mundimshëm për të.

"Zigabal është ilaç shumë i rëndësishëm që përdoret për sëmundjen e epilepsisë sepse është terapi ditore, për zbutjen e nervave me impulse të caktuara. Është e rëndësishme, sepse kjo terapi nuk bën të ndërpritet. E në asnjë barnatore në Kosovë nuk ka ilaç të tillë ose diçka të ngjashme, dhe nuk është ngritur si çështje që të mund të gjendet diku tjetër nga njerëzit që e përdorin", thotë ajo.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se ilaçi në fjalë nuk është në listën esenciale, andaj për te duhet leje speciale nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale.

"Produkti i caktuar Zigabal nuk ekziston në listë esenciale dhe ato që nuk janë të përfshira në listë dhe nuk janë të regjistruara në listë esenciale. Pacientët duhet të aplikojë në AKPM për trajtim individual. Barnat esenciale merren falas, ndërkaq për të tjera pacienti duhet të paguajë vetë. Konsiderohet që lista esenciale përfshin barnat jetike", bën të ditur Bekim Fusha, nga departamenti farmaceutik.

Pranvera Behrami, zyrtare për informim Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale thotë se për terapi individuale, për barnat që nuk janë të regjistruara, ekziston një nen brenda Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinave që pacientët pajisen dhe u lejohet importi.

"Në bazë të Ligjit për Produkte Medicinale, përkatësisht përmes nenit të 12 për import të produkteve medicinale, personatfizik kanë të drejtë të importojnë sasi të produkteve medicinave për një tretman të nevojshëm, për përdorimin e tyre personal duke dëshmuar recetën e mjekut, në rast që këto produkte nuk janë të regjistruara apo nuk kanë licencë importi".

"Po ashtu, mund të them që importi nga personat fizik mund të bëhet nga qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë. Kemi raste të shpeshta të terapive individuale. AKPM dhe brenda ditës do të mundësojë që të pajisen me leje dhe më pas shumë shpejtë me produktin e kërkuar", thotë Behrami.

Sidoqoftë, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se tashmë janë marrë hapat konkretë për thjeshtësimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve mjekësore.

Në shfrytëzim janë edhe disa udhëzime administrative që kanë mundësuar njohjen unilaterale të regjistrimit të barnave nga dy shtete, Gjermania dhe Anglia.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG