Ndërlidhjet

Kufiri administrativ, sherr për dy komunat e Mitrovicës


Mitrovicë 17 tetor 2015
Mitrovicë 17 tetor 2015

Mosnënshkrimi i marrëveshjes që do të definonte kufirin administrativ mes dy komunave të Mitrovicës, asaj jugore dhe asaj veriore, tashmë është shndërruar edhe në një mollë “sherri” ndërmjet Qeverisë së Kosovës, kryetarit të komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, dhe kryetarit të komunës së veriut, Goran Rakiq.

Bahtiri thotë se kufiri administrativ i komunës së Mitrovicës së jugut, bazuar në hartën që del nga dokumenti i Marti Ahtisaarit (dokument ky në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, në vitin 2008), përfshin brenda edhe lagjen Suhodoll, e cila ndodhet në anën veriore të lumit Ibër.

Një gjë të tillë e kundërshton Rakiq, duke thënë se banorët e kësaj lagjeje, në zgjedhjet lokale të fundit, kanë votuar për zgjedhjen e strukturave komunale të komunës veriore të Mitrovicës.

Por, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thonë se lidhur me problemin janë duke u zhvilluar bisedimet dhe se qëndrimet janë përafruar.

Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kufiri administrativ do të përcaktohet duke u bazuar në hartën që del nga dokumenti i Ahtisaarit, dokument ky në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, në vitin 2008.

“Jemi në bisedime për atë punë. Në kuadër të marrëveshjes për urën, ka hyrë edhe kjo çështje. Është thënë që do të zgjidhet. Ne i kemi gjetur hartat e pakos së Ahtisaarit, sepse një kohë kemi pasur problem me ato harta. I kemi hartat origjinale të pakos së Ahtisarit dhe ai kufi do të përcaktohet në bazë të atyre hartave. Pra, nuk do të ketë lëvizje nga ato harta”, thotë Gecaj.

Por, Goran Rakiq, kryetar i komunës së Mitrovicës së veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë ekzistojnë dy harta valide, të vulosura, të dala nga Agjencia e Kadastrës në Prishtinë.

Dhe në njërën hartë, Suhodolli i takon komunës së Mitrovicës jugore, e në tjetrën i takon komunës së Mitrovicës së veriut.

“Qeveria qendrore në Prishtinë, në mënyrë selektive, sikur nga tryeza suedeze, po merr atë që i konvenon. Ajo hartë, që e kanë marrë nga UNMIK-u dhe për të cilën ata thonë se është e Ahatisaarit, nuk ka asnjë vulë e as nënshkrim zyrtarë”, shprehet Rakiq.

Ai thekson se në votimet e fundit, banorët e Suhodollit kanë votuar për komunën veriore të mitrovicës dhe tashmë aty kanë tre këshilltarë komunal shqiptarë, ndërkaq, sipas hartës ata do të duhej të ishin në jug të Mitrovicës.

Rakiq shton se në qoftë se do ta nënshkruante marrëveshjen, atëherë do të duhej të shpërndaheshin Kuvendet komunale të jugut dhe veriut të Mitrovicës dhe të mbaheshin zgjedhje të reja.

Në anën tjetër, Agim Bahtiri, kryetar i komunës së Mitrovicës së jugut, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se është i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen që definon kufijtë administrativë të dy komunave, por vetëm nëse bazohet, sipas tij, mbi dokumentin e Ahtisaarit.

“Kam qenë i gatshëm të nënshkruajë mbi planin e Ahtisaarit dhe unë nuk mund të dal mbi të. Dikush dëshiron të dalë mbi planin e Ahtisaarit dhe ta marrë Mitrovicën, pjesën e lugut të Ibrit, me Ibër, deri në Zubin Potok, por ajo nuk do të ndodhë asnjëherë dhe në asnjë mënyrë”, thekson Bahtiri

Edhe pse të gjitha palët thonë se janë përafruar qëndrimet lidhur me definimin e këtij kufiri administrativ, megjithatë, ata janë këmbëngulës, secili në pikëpamjen e vet.

Rakiq thotë se lidhur me këtë problem janë duke biseduar me përfaqësuesit e ndërkombëtarë në Kosovë.

“Po bisedojmë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe me ata të Ambasadës amerikane dhe po përpiqemi të gjejmë zgjidhjen e vërtetë, që do t’i kënaqte së pari qytetarët që jetojnë në atë pjesë të Mitrovicës e më pas edhe të gjithë të tjerët”, shpjegon Rakiq.

Por, zëvendësministri Gecaj, thotë se këmbëngulja që kjo çështje të shndërrohet në problem, u shkon përshtati përfaqësuesve të serbëve në veri të Kosovës.

“Kjo është, sepse ata kanë qëllime dhe pretendime që t’i lëvizin ato harta. Është e vërtetë që ka mundësi që një pjesë e popullatës, që nuk është dashur të votojnë, ka votuar. Por, ajo është një pjesë shumë e vogël e popullatës dhe nuk është ajo e rëndësishme që të lëvizin ata kufij”, vlerëson ai.

Problemi i definimit të kufijve administrativë ndërmjet dy komunave të jugut dhe veriut të Mitrovicës, ka dalë në sipërfaqe, pak ditë para se të fillojnë punimet për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër që nisën më 17 tetor, që nënkupton edhe heqjen e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes”, që gjendet në këtë urë.

XS
SM
MD
LG