Ndërlidhjet

Takim pa marrëveshje i liderëve politikë në Maqedoni


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Ka dështuar edhe një takim i partive politike në Maqedoni,për zbatimin e pikave të marrëveshjes politike.

Takimi i nisur në mesnatë, ndërmjet liderëve të katër partive politike dhe ndërmjetësve ndërkombëtarë, ka përfunduar vetëm me konstatimin se duhet vazhduar bisedimet për gjetjen e mënyrave për dalje nga gjendja e krijuar.

Dallimet kryesore kanë të bëjnë me kompetencat e ministrave që duhet të udhëheqë opozita në qeverinë kalimtare, pastaj për propozim-ligjin që parasheh ndalimin dhe dënimin me burg për drejtuesit e medieve nëse publikojnë pjesë nga bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve, por edhe për çështje tjera.

Qëndrimet e kundërta për këto pika të marrëveshjes politike kanë bllokuar edhe punën e prokurores speciale, e cila duhet të hetojë atë që njihet si aferë e përgjimeve.

Ndërmjetësi ndërkombëtar, Peter Vanhaute, ka thënë se është optimist se gjërat do të lëvizin përpara. Sipas tij, këtyre ditëve do të vazhdojnë takimet e grupeve punuese për të afruar qëndrimet ndërmjet palëve.

Para takimit që ka zgjatur rreth tri orë, kryeministri, Nikolla Gruevski ështëtakuar me ambasadorët e pesë shteteve më relevante, me të cilët ka biseduar rreth mënyrave për dalje nga kriza e krijuar.

Këtë e ka konfirmuar edhe ambasdori italian, Ernesto Beleli, por pa dhënë detaje nga takimi.

“Ishim këtu që të shfaqim qëndrimin dhe pikëpamjet tona. Nuk kam ndonjë deklaratë të veçantë për sonte, por vetëm përçuam mesazhin e nevojës urgjente për zgjidhjes e krizës“, ka deklaruar ambasadori Beleli.

Kryeministri Gruevski nuk ka komentuar, por shërbimi për informim i Qeverisë përmes një komunikate ka bërë të ditur se “kryeministri Gruevski ka theksuar përkushtimin për realizimin e detyrimeve thelbësore dhe domosdoshmërinë e përkushtimit të barabartë të të gjitha palëve të inkuadruara në proces“.

Ndërkohë, në një manifestim tjetër me rastin e ditës së VMRO-së, Gruevski ka bërë thirrje që mosmarrëveshjet të zgjidhen ndërmjet vetë liderëve politikë, pa ndihmën nga jashtë, pasi siç ka deklaruar, kjo po e rrënon imazhin e vendit.

“Nuk është aspak mirë kur nga jashtë kërkojmë ndihmë dhe aleancë njëri kundër tjetrit. Ne duhet të kuptojmë momentin historik se e gjithë kjo që po ndodh, do të regjistrohet nga gjeneratat që do të vijnë, andaj duhet unitet për të gjitha mosmarrëveshjet, qoftë politike, ekonomike dhe shoqërore“, ka deklaruar Gruevski, edhe pse nga opozita ai etiketohet si “personi më përgjegjës për gjendjen, në të cilën ndodhet Maqedonia“, ka thënë Gruevski.

Kreu i opozitës, Zoran Zaev, ka paralajmëruar fillimin e publikimit bisedave të reja telefonike të përgjuara të zyrtarëve, nëse nuk arrihet së shpejti marrëveshje për të gjitha pikat që duhet zbatuar, nga ajo për të cilat janë marrë vesh partitë.

Nga ana tjetër, nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë përjashtuar mundësinë e formimit të një shumice të re parlamentare në rast të dështimit të marrëveshjes politike.

Nga BDI-ja kanë thënë se mënyra e vetme për dalje nga kriza është zbatimi i marrëveshjes politike.

“Qëndrimi i BDI-së mbetet i pandryshuar. Kërkojmë zbatimin e plotë të marrëveshjes së 2 qershorit, të arritur mes gjithë liderëve të partive politike në vend, me ndërmjetësim dhe përkrahje të fuqimisht nga komuniteti ndërkombëtar. Ne mbetemi edhe më tej në këtë qëndrim dhe nuk diskutohet tani për tani, për ndonjë opsion tjetër”, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi.

Dështimi i eventual i marrëveshjes politike do të nënkuptonte edhe dështimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të parapara për 24 prill të vitit të ardhshëm.

Në rast se kjo ndodh, atëherë sipas diplomatëve perëndimorë, Maqedonia do të humbë edhe rekomandimin për nisjen e bisedimeve me BE-në, ndërsa do të përballet edhe me sanksione tjera, si vendosjen e zyrtarëve në listë të zezë dhe bllokimin e llogarive bankare, ngjashëm si në rastin e Bjellorusisë.

XS
SM
MD
LG