Ndërlidhjet

Përurohet segmenti i parë i autostradës Prishtinë - Shkup


Ilustrim
Ilustrim

Në prani të krerëve të institucioneve të Kosovës, sot është bërë përurimi i segmentit të parë të autostradës që lidh Prishtinën me Shkupin.

Në përurimin e kësaj pjese të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, e cila në tërësi do të jetë e gjatë rreth 60 kilometra, morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, ambasadorë të akredituar në Kosovë si dhe përfaqësues të kompanisë Bechtel & Enka, e cila po i kryen punimet.

Kryeministri Isa Mustafa, në fjalën e tij para të pranishmëve, ka vlerësuar se kjo autostradë është vepër e madhe dhe e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Sot po përurojmë kyçjen e autostradës “Ibrahim Rugova” me autostradën “Arbër Xhaferi”, që është një vepër e madhe për ne dhe tepër e rëndësishme. Ky udhëkryq këtu konsiderohet si më i madhi në këtë rajon, që lidh Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë. Na lidh me Prizrenin, Shkupin, Tiranën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ajo që na gëzon është se janë punë shumë cilësore të cilat po bëhen”, ka thënë Mustafa.

Ky projekt, Buxhetit të Kosovës i kushton rreth 600 milionë euro.

XS
SM
MD
LG