Ndërlidhjet

Jahjaga ka deponuar kërkesën e saj për Asociacionin në Kushtetuese


Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për interpretimin e përputhshmërisë së parimeve të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me Kushtetutën e Kosovës. Lajmi është konfirmuar nga Selim Selimi, këshilltar i presidentes së Kosovës.

Presidentja Jahjaga, ka thënë Selimi, e ka referuar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke u bazuar në kompetencat e saj kushtetuese për të ngritur çështje në këtë Gjykatë.

Nisma e presidentes për të dërguar në Kushtetuese çështjen e Asociacionit, pason përplasjet dhe tensionet e shtuara politike në raportet pushtet - opozitë. Partitë opozitare po kundërshtojnë me ngulm marrëveshjen e arritur në dialog me Beogradin për Asociacionin e Komunave Serbe, duke e konsideruar atë të dëmshme për shtetin e Kosovës dhe hap drejt ndarjes në vija etnike.

Këto përplasje kanë sjellë si pasojë edhe bllokimin e punës së Kuvendit. Interpretimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare. Kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se marrëveshja nuk do të zbatohet nëse gjykata interpreton se është në shpërputhje me Kushtetutën.

XS
SM
MD
LG