Ndërlidhjet

Pasurimi i paligjshëm dhe kultura e mosndëshkimit


Ilustrim
Ilustrim

Lufta ndaj pasurimit të paligjshëm është dhe duhet të jetë prioritet i Kosovës, sepse është instrumenti më efektiv për ta luftuar korrupsionin infektiv, është thënë të martën, në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ku është diskutuar për luftën kundër pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve të lartë të Kosovës.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka theksuar se në relacionin e Kosovës me Bashkimin Evropian, pikë qendrore në kuadër të kushtëzimeve që ndërlidhen me sundimin e ligjit, është lufta kundër pasurimit të paligjshëm.

“Kjo është thënë në mënyrë shumë eksplicite, si në konkluzionet e sesioneve që rrjedhin prej procesit të Stabilizim Asociimit, ashtu edhe në dialogun e strukturuar që Kosova ka me Komisionin Evropian, për sa i takon sundimit të ligjit”, ka theksuar Korenica.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell ​, gjatë diskutimit në këtë tryezë, ka theksuar se pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, Kosova duhet të sillet si shtet evropian.

Veprimet e saj, sipas tij, do të ndikojnë në të ardhmen e saj. Në këtë kuadër, siç ka thënë ambasadori O’Connell, hyn edhe lufta kundër korrupsionit.

“Aktualisht, fatkeqësisht, në Kosovë mbretëron një kulturë e mosndëshkimit. Këtu gati se askush nuk mbahet përgjegjës dhe llogaridhënës. Pyetja ime është: a ka vullnet politik për të luftuar këto fenomene? Këto fenomene shkaktojnë një sërë problemesh serioze".

"Mungesa e integritetit pengon investimet e huaja në mënyrë të drejtpërdrejtë, zhvillimin e ekonomik dhe punësimin e të rinjve. Unë mendoj dhe besoj që njerëzit janë të lodhur, mbi të gjitha, me këto skandale të korrupsionit kanë humbur besimin e tyre në sistemin e drejtësisë. Tani, Kosova duhet t’i japë fund kulturës së mosndëshkimit, ku askush nuk mbahet përgjegjës dhe llogaridhënës”.

Albana Rexha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, e cila ka prezantuar raportin e këtij grupi dhe analizën e politikave përmes të cilave duhet qasur luftës kundër korrupsionit dhe pasurimit të paligjshëm, ka thënë se Kosovë mungon vullneti politik për ta luftuar fenomenin e pasurimit të përfituar paligjshëm, gjë që reflektohet edhe në rastet e limituara të konfiskimit të kësaj pasurie.

“Ka ardhur koha që institucionet tona ta kenë guximin që të gjykojnë edhe persona të tjerë, të cilët mbajnë pozita të larta në shtet, pozita udhëheqëse. Më e rëndësishme është që të bëjmë identifikimin e së paku, disa prej sfidave kryesore në aspektin legjislativ dhe institucional të mekanizmit të konfiskimit të pasurimit të paligjshëm”.

Prokurori Shqipdon Fazliu, koordinator Nacional për Luftimin e Krimit Ekonomik, ka theksuar se ekzistojnë probleme të mëdha lidhur me konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

“Ka nevojë për hartimin e ligjit të ri anti-mafia, që lejon konfiskimin e pasurisë së paligjshme edhe pa një aktgjykim dënues”.

“Kosova, për fat të keq, vazhdon të përballet me sfidat apo problemet më elementare të konfiskimit”, ka theksuar prokurori Fazliu.

Grupi për Studime Politike dhe juridike, bazuar në problemet e identifikuara në luftën kundër pasurimit të paligjshëm, ka dhënë disa rekomandime.

Në aspektin legjislativ, ky grup rekomandon që futet zhvendosja e barrës së provës, si dhe të lejohet, përveç sistemit të bazuar në dënim, edhe sistemi i bazuar në jo dënim.

Gjithashtu, rekomandohet që legjislacioni të qartësojë konceptet themelore, sikurse: ngrirja, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë së paligjshme, si dhe trë ketë afat ligjor për sekuestrimin, si marrje e përkohshme e aseteve. Po ashtu, të ketë edhe rregullore të brendshme brenda sistemit të drejtësisë që do ti bënte prioritet rastet komplekse të korrupsionit.

Gjithashtu, është thënë se në këtë luftë kundër pasurimit të paligjshëm, duhet të ketë bashkëpunim të intensifikuar ndërinstitucional; bashkëpunim ndërmjet institucioneve, prokurorisë, gjyqësorit, Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe policisë dhe mbi të gjitha, vullnet politik nga ana e klasës politike për të luftuar këtë dukuri negative.

XS
SM
MD
LG