Ndërlidhjet

Në Kosovë vazhdon trendi i rënies së natalitetit


Ilustrim

Ilustrim

Në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, mesatarja e lindjeve në ditë është rreth 30 foshnje, bëjnë të ditur zyrtarët shëndetësorë. Për një vit në këtë klinikë kanë lindur 10 mijë e 400 foshnje.

Në mbarë Kosovën ndërkaq, në vitin 2014, kanë lindur gjithsej 26,565 foshnje të gjalla.

Drejtoresha e Klinikës Gjinekologjike, Myrvete Paçarada i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se vetëm në institucionin që ajo udhëheqë, krahasuar me datën e njejtë të vitit 2014 me këtë vit, kanë lindur 500 foshnje më pak.

"Ka rënie të natalitetit dhe këtë po e vërejmë që nga paslufta. Shkaktarët po mendojmë që janë planifikimi më i mirë familjes. Nuk ka raste të shtatëzënive të padëshiruara. Nuk duhet ta lëmë anash as atë që një pjesë e madhe e popullatës së re tashmë ka migruar. Gjithashtu mendoj se vajzat tona gjithnjë e më shumë po orientohen nga karriera dhe më pas po krijojnë familje", tha zonja Paçarada.

Merita Vuthaj, zyrtare për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës në Ministrinë e Shëndetësisë në qeverinë e Kosovës, ka bërë të ditur se Kosova po shënon rënie të natalitetit nga viti në vit, duke veçuar vitin 2012, ku ka pasur një rritje për rreth 1000 lindje të raportuara.

"Përgjatë 15 viteve është vërejtur rënie rapide e lindjeve ndërmjet viteve 2001 dhe 2003 për rreth 5,000 lindje më pak. Pastaj rënia vazhdon, por në mënyrë të qëndrueshme".

"Për çdo vit janë raportuar mesatarisht nga 500 lindje më pak, përveç në vitin 2012 kur ka patur një rritje prej rreth 1000 lindjesh të raportuara krahasuar me vitin 2011", thotë zonja Vuthaj.

Zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, thonë se rënia e natalitetit në Kosovë është duke ndodhur, por jo në masë shqetësuese.

Sami Uka, zyrtar për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës në OBSH, thotë se në Kosovë ka më shumë lindje se vdekje, dhe rrjedhimisht, nuk ka vend për shqetësim.

"Shkalla e natalitetit është në rënie, por nuk ekziston ndonjë arsye e mirëfilltë për shkaqet; supozohet se është një shkallë e natyrshme, sikurse edhe në vendet e zhvilluara. Pra nuk është fakt shqetësues, pasi që nuk ka vdekje më shumë se lindje, dhe nuk konsideroj që është për brengosje".

"Ne si Kosovë nuk jemi në atë kategorinë e epidemisë së bardhë, siç quhet, kur një shtet ka më shumë vdekje se lindje", thotë zoti Uka.

Sidoqoftë, gjatë vitit 2014 në Kosovë janë raportuar gjithsej 361 foshnje të vdekura, gjë që paraqet 139 raste më pak karahasuar me vitin 2013.

Për rënie të natalitetit flasin edhe të dhënat nga regjistrimi i fëmijëve në klasë të parë të arsimit fillor. Në vitin 2013, klasën e parë e kanë regjistruar 29 mijë nxënës, kurse në vitin 2014 ky numër ra në 27 mijë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG