Ndërlidhjet

Mustafa: Do ta mundim çdo fushatë raciste kundër Kosovës


Isa Mustafa
Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur keqardhje të thellë për “mungesën e konsensusit ndërkombëtar për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë (UNESCO), duke theksuar se Kosova nuk do të zmbrapset nga agjenda e saj evroatlantike dhe do t’i bindë të gjithë se meriton të bëhet pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare”.

Mëtutje, siç njoftoi qeveria e Kosovës, zoti Mustafa nga Vilniusi i Lituanisë, ku gjendet për vizitë zyrtare, ka theksuar se “mungesa e mbështetjes së mjaftueshme për anëtarësimin në UNESCO kësaj radhe, do t’i nxisë institucionet e shtetit të forcojnë zbatimin e parimeve themeltare, që janë mbrojtja e kultivimi i vlerave të përbashkëta dhe diversitetit si dhe kontributi për paqen dhe sigurinë”.

Kryeministri Mustafa ka thënë se lobimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO është bërë me një punë të jashtëzakonshme të Ministrisë së punëve të jashtme dhe institucioneve të tjera kompetente dhe nuk është e drejtuar ndaj asnjë shteti fqinj dhe as kundër ndonjë bashkësie etnike në Kosovë.

“Fatkeqësisht, orientimi i qartë properëndimor i Kosovës si dhe gatishmëria e saj për të çuar përpara të gjitha agjendat konstruktive, i ka penguar Serbisë, e cila ka ndërmarrë në vazhdimësi, por sidomos gjatë këtij procesi, një fushatë raciste kundër Kosovës. Kjo ka ndikuar tek disa shtete që ndajnë interesa të përbashkëta me aleatët e Serbisë. Por, kjo nuk na zmbraps aspak. Sepse ne jemi të vendosur të punojmë pareshtur për ta fuqizuar shtetin e Kosovës dhe për ta afirmuar atë si një projekt të suksesshëm, që u shërben interesave të qytetarëve të saj, pa asnjë dallim dhe që është kontribut i paqes, tolerancës dhe prosperitetit”, ka theksuar Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka falënderuar Shqipërinë për “sponnsorizimin e kërkesës për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO”.

“Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, në ditët e ardhshme, Kosova pret të marrë lajmin e mirë nga Brukseli për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka theksuar kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.

XS
SM
MD
LG