Ndërlidhjet

Kremlini mohon akuzat për doping të sponsorizuar nga shteti


Ilustrim
Ilustrim

Raporti 335-faqesh, i publikuar nga hetuesit e Agjencisë Botërore kundër Dopingut, është një aktakuzë e fuqishme për Federatën ruse të Atletikës, për atletët e saj, trajnerët dhe zyrtarët e qeverisë që i mbikëqyrin.

“Është më keq seç e kemi menduar”, ka thënë hetuesi kryesor Dick Pound, njëherësh ish-shef i Agjencisë Botërore anti-Doping.

Raporti ka gjetur se atletët rusë kanë përdorur substanca të ndaluara, por të sponosrizuara nga shteti, për të përmirësuar performancën e tyre.

Pjesa më e madhe e provave në raport janë ndërtuar mbi materiale të mbledhura nga audio dhe video-incizime sekrete.

Mariya Savinova, fituese e medaljes së artë në vrapimin prej 800 metrash, në Lojërat Olimpike në Londër, më 2012, ka pranuar në një incizim sekret se ka përdorur steroide oxandrolone”, thuhet në raport.

I njëjti nxjerr në pah shkatërrimin e provave në laboratoret ruse, ryshfete dhe mashtrime.

“Të gjitha këto nuk kanë mundur të ndodhin pa dijeninë apo pëlqimin e autoriteteve”, ka thënë bashkautori i raportit, Dick Pound, duke i kërkuar Shoqatës Ndërkombëtare të Federatave të Atletikës që të pezullojë fedeartën ruse nga garat.

Kremlini i ka cilësuar si të pabaza akuzat. Zëdhënësi Dmitry Peskov ka thënë se “derisa nuk paraqiten prova, është vështirë të pranohen këto akuza”.

Kremlini po ashtu ka thënë përmes një deklarate se presidenti rus, Vladimir Putin, do të takojë më 11 nëntor krerët e federatave të sportit në Rusi për të diskutuar përgatitjet për Lojërat Olimpike në Rio, më 2016.

Raporti i Agjencisë Botërore kundër Dopingut ka gjetur se një laborator i Moskës ka shkatërruar 1,400 teste të dopingut në dhjetor të vitit 2014.

Kreu i agjencisë ruse antidoping, Nikita Kamaev, ka hedhur poshtë akuzat se shërbimet ruse të sigurisë kanë ndërhyrë në punë laboratorike, duke thënë se këto pretendime janë “krejtësisht të pakuptimta” dhe prodhim i një “imagjinate të përflakur”.

Të dhënat e Agjencisë Botërore kundër Dopingut kanë treguar se atletët rusë janë të parët në botë sa u përket shkeljeve të rregullave anti-doping. Ata kanë bërë 225 shkelje në sporte të ndryshme në vitin 2013.

Presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare të Federatave të Atletikës, Sebastian Coe, ka thënë se Rusia ka kohë deri në fund të javës për t’iu përgjigjur zyrtarisht raportit.

Austrialia dhe Britania e Madhe kanë kërkuar që Rusisë t’i ndalohet pjesëmarrja në të gjitha garat, përfshirë edhe Olimpiadën në Rio. (v.tela)

XS
SM
MD
LG