Ndërlidhjet

Qeveria shqiptare tërhiqet nga propozimi "burg për shpifje"


Edi Rama, foto arkivi
Edi Rama, foto arkivi

Ka shkaktuar reagim të menjëhershëm propozimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të rikthyer dënimin me burg për shpifje apo fyerje. Propozimi është cilësuar si një kërcënim ndaj lirisë së shtypi.

“Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”, thuhet mes tjerash në propozimin e qeverisë shqiptare.

Ky ndryshim i propozuar nga kryeministri Rama, u mbajt i fshehtë dhe u zbulua më datën 11 nëntor, vetëm një ditë përpara se të kalonte në Parlamentin e Shqipërisë.

Mëngjesin e së enjtes kryeministri Rama përmes tre prostimeve në rrjetet social, bëri me dije se propozimi i tij ishte vetëm për politikanët që shpifin.

Ai kërkoi “ndjesë që [propozimi] ka hapur shteg për një keqkuptim të madh”.

Por për sa kohë që ky specifikim nuk pasqyrohet në formulimin e propozimit të tij, shoqatat e gazetarëve dhe ambienti mediatik në Shqipëri, janë të pasigurtë dhe të paqartë nëse kjo do të reflektohet apo jo në riformulimin e propozimit.

Me anë të një deklarate të përbashkët,Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Unioni I Gazetarëve Shqiptarë, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, Rrjeti Investigativ Birn, AIS / Open Data Albania, kanë adresuar shqetësimin e tyre te organizatat ndërkombëtare të medias dhe faktori ndërkombëtar në Shqipëri.

“Ky propozim I kryeministrit u bë pa transparencë, pa u publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, pa u diskutuar me asnjë grup interesi, por i është përcjellë direkt për shqyrtim Parlamentit të Shqipërisë. Kërkojmë që të na mbështesni në këtë shqetësim tonin publik, duke përdorur gjithë ndikimin tuaj që ky propozim i kryeministrit të qartësohet duke specifikuar, se nuk vlen për median... Një nen i tillë, në formën e paraqitur nga kryeministri është një kërcënim serioz në punën tonë të përditshme si gazetarë.”

I mënjëhershëm ka qenë reagimi i faktorit ndërkombëtar.

Përfaqësuesja e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviq, shprehu shqetësimin për projekt-ndryshimet në Kodin Penal të Shqipërisë, dhe u bëri thirrje anëtarëve të Parlamentit të hedhin poshtë projektligjin që parashikon dënim me burg për shpifjen ndaj figurave publike.

“Institucionet dhe zyrtarët publikë nuk duhet të gëzojnë mbrojtje shtesë ndaj deklaratave kritike, përkundrazi ata duhet të tolerojnë një shkallë më të lartë kritike se qytetarët e zakonshëm”, tha Mijatoviq.

“Dënimet penale për shpifjen janë të tepruara dhe jo përpjestimore. Ato duhet të zëvendësohen me rregullime të përshtatshme në ligjin civil apo administrativ”.

Raportuesi i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës për Shqipërinë, Andrej Hunko ka shprehur habi dhe shqetësim për drafin e qeverisë që në Kodin Penal e konsideron shpifjen si vepër penale.

“Ky propozon është plotësisht kundër këtyre rekomandimeve. Jam shumë i shqetësuar për këtë zhvillim”, shprehet deputeti gjerman i KiE-së.

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin në qeverinë Rama, Ermonela Felaj, deklaroi për gazetarët se propozimi është tërhequr dhe do të rishikohet.

“Ne do ta tërheqim atë nismë për të saktësuar pikërisht këtë moment në mënyrë që të mos ndodhi ky lloj diskutimi por një gjë duhet të jetë e qartë që politikanët duhet të kenë një marrëdhënie korrekte me të vërtetën, kanë detyrimin për sa kohë paguhen nga taksat e publik të shprehin të vërtetën dhe të luftojnë për të vërtetën”.

Kritika për këtë propozim të qeverisë shqiptare ka pasur edhe nga Partia Demokratike në opozitë, por edhe nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili tha se "një akt të tillë e shoh me preokupim dhe shqetësim".

"E gjykoj kufizim të lirisë së shprehjes dhe cënim të standarteve demokratike të arritura deri më tash me kontributin e të gjitha paleve politike në vend", ka thënë Nishani.

Shpifja dhe fyerja si vepër penale janë hequr nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në shkurt të viti 2012, me dakordësinë e shumicës dhe opozitës së asaj kohe, pas një presioni disavjeçar të shoqatave të mediave dhe të organizatave ndërkombëtare.

Progres Raporti i fundit i Bashkimit Evropian dhe ai i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 21 qershorit 2015 në Shqipëri, kanë sjellë raste të censurës e kërcënimit të medias në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG