Ndërlidhjet

Militantët e IS-it kanë kryer gjenocid kundër jazidëve


Një qendër refugjatësh nga komuniteti jazid
Një qendër refugjatësh nga komuniteti jazid

Militantët e Shtetit Islamik [IS] kanë kryer gjenocid kundër jazidëve në Irak, derisa kanë kryer krime lufte dhe spastrim etnik kundër pakicave të tjera, u kumtua më 12 nëntor nga Muzeu Përkujtimor i Holokaustit në Shtetet e Bashkuara.

Ndërmjet qershorit dhe gushtit të vitit 2014, mizoritë e grupit ekstremist, Shteti Islamik, ishin kryer kundër të krishterëve, jazidëve, turkmenëve, shabakëve, dhe grupeve të tjera etnike në provincën veriore Nineveh në Irak, sipas raportit të Qendrës së Muzeumit Simons-Skjodt për Parandalimin e Gjenocidit.

“Ne besojmë se Shteti Islamik kishte kryer dhe po kryen gjenocid kundër popullit jazidi”, thuhet në raport dhe theksohet se “qëllimi i deklaruar i Shtetit Islamik dhe mënyrat e dhunës kundër shiitëve shabakë dhe shiitëve turkmenë, po ashtu, ngrejnë shqetësime për kryerje dhe rrezik të gjenocidit kundër këtyre grupeve”.

Ky report u publikua në periudhën kur kurdët e Irakut, të mbështetur nga forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara, kanë lansuar një ofensivë madhore për ta marrë kontrollin në qytetin Sinxhar, në pjesën veriore të Irakut, i cili gjatë vitit të kaluar ishte okupuar nga militantët e Shtetit Islamik.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik, që ka okupuar afro një të tretën e territorit në Irak dhe Siri, konsideron se jazidët janë "besimtarë të djallit".

Religjioni jazidi ka elemente të fesë së krishterë, zoro-astrinianizmit dhe islamizmit. Pjesa më e madhe e popullatës jazidi, afro gjysmë milioni, mbetet e zhvendosur në kampe brenda rajonit autonom Kurdistan, në pjesën veriore të Irakut.

Prej 5 mijë meshkujve e grave jazidi, të zënë nga militantët në verë të vitit 2014, afro 2 mijë ia dolën të iknin. Të tjetët ende mbesin në robëri.

Militantët e IS-it janë mburrur vitin e kaluar se e kanë ripërtrirë skllavërinë, duke u ofruar luftëtarëve të vet vajzat dhe gratë e zëna si çmim për të arriturat fetare dhe ushtarake.

“Krimi i gjenocidit po vazhdon kundër popullatës jazidi, derisa gratë dhe fëmijët, që ishin rrëmbyer në numër të madh, mbeten të skllavëruara nga ata që i kanë rrëmber”, i ka thënë agjencisë AFP, Cameron Hudson, nga muzeu.

Ky muze ka ndërmarrë një udhëtim dyjavësh në Nineveh, në muajin shtator, për të mësuar për mizoritë që kanë ndodhur atje. Konkludimet e publikuara janë bazuar në intervistat ku detajizohen raste të tmerrshme të dhunimit, torturës dhe vrasjeve.

Disa të mbijetuar kanë paraqitur “tregime tejet prekëse” se është dashur t’i lënë të moshuarit ose anëtarët e sëmurë të familjeve prapa, derisa ata iknin nga militantët e Shtetit Islamik.

Konventa e Kombeve të Bashkuara e vitit 1948, gjenocidin e definon si shkatërrim i qëllimshëm në tërësi ose pjesërisht, i një grupit kombëtar, etnik, racor ose religjioz.

Kombet e Bashkuara në muajin mars kanë thënë se militantët e Shtetit Islamik mund të kenë kryer gjenocid në përpjekjet e tyre për ta zhdukur pakicën jazidi dhe kanë kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së që këtë çështje ta referojë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

Por, as Iraku e as Siria, nuk janë anëtare të kësaj gjykate me seli në Hagë, prandaj prokuroria nuk mund të hapë hetime, derisa referimi të mos bëhet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, që është i përbërë prej 15 anëtarësh.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG