Ndërlidhjet

Kosova ndan dhimbjen me Francën


Prishtinë (Foto nga arkivi)

Prishtinë (Foto nga arkivi)

Autoritetet më të larta politike e publike në Kosovë kanë dënuar ashpër sulmet terroriste në Paris të Francës, të cilat lanë pas vetes mbi 128 njerëz të vrarë dhe shumë të plagosur.

Gjatë ditës, përfaqësues të institucioneve, partive politike e shoqërisë civile si dhe qytetarë, kanë vendosur lule tek Ambasada e Francës në Prishtinë, në shenjë nderimi për viktimat.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është shprehur e tronditur me sulmet terroriste në ‎Paris dhe humbjen e shumë jetëve të pafajshme në këto sulme.

“E ndajmë dhembjen me Francën dhe qëndrojmë me popullin francez kundër terrorizmit”, ka deklaruar Jahjaga, ndërsa ditën e diel e ka shpallur ditë zie në Kosovë.

Ndërkaq, kryeministri Isa Mustafa ka shprehur dhimbjen e tij të thellë për viktimat e sulmeve të së premtes mbrëma në Paris, duke dënuar fuqishëm përpjekjet për terrorizimin e popullit francez me akte mizore e terroriste, përmes së cilave po synohet të mbillet frika në krejt botën e civilizuar.

“Në këto momente të vështira, ne ndajmë dhimbjen me popullin dhe institucionet e Francës, por edhe me mbarë botën demokratike, e cila duhet të mobilizohet fuqishëm për ta mundur të keqen që po i kanoset njerëzimit”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Sipas tij, Franca dhe aleatët tjerë euro-atlantikë do të gjejnë formën për t’iu përgjigjur këtij kërcënimi, sepse gabojnë të gjithë ata që mendojnë se mund t’i hedhin poshtë vlerat e lirisë nëpërmjet terrorizimit të njerëzve.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur i shokuar nga sulmet në Paris të Francës.

Ai ka thënë se populli i Kosovës është afër popullit francez në këto momente dramatike.

“I shokuar dhe i tronditur nga lajmet për sulmin në Paris. Populli kosovar është në mbështetje të francezëve”, ka theksuar Thaçi.

Sulmet në Paris i ka dënuar edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Ai ka vendosur lule në shenjë nderimi për viktimat tek Ambasada franceze në Prishtinë.

“Të premten, është sulmuar qyteti simbol i lirive dhe të drejtave njerëzore, Parisi. Sot, të gjithë ne, kudo në botë që besojmë në vlerat e lirisë, ndihemi parisienë. Ndihemi francezë. Ngushëllime popullit të madh francez. Ngushëllime shtetit francez, mikut të madh të shtetit tonë”, ka thënë Veseli.

Po ashtu, këto sulme janë dënuar edhe nga partitë opozitare.

Lëvizja Vetëvendosje dënon sulmin terrorist në Paris dhe i bashkohet dhimbjes njerëzore për viktimat.

"Qytetari i Parisit, i cili i ka mësuar botës se ç’është Republika, edhe dje na i dha një mësim të vyer. Gjatë orëve të tmerrit, qytetarët i kanë hapur dyert e shtëpive të tyre për të strehuar ata që ishin të traumatizuar, fizikisht a shpirtërisht prej sulmeve. Solidariteti i tyre është një frymëzim dhe shpresë që nuk e lehtëson dhimbjen, por e bën më dinjitoze atë", thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.

Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësimin e tij, duke thënë se ndihet i tronditur.

“Në këto momente pikëllimi dhe dhembshurie për të gjithë botën e ndritur, ndaj dhimbjen me mbarë popullin francez, institucionet e shtetit të Francës dhe familjet e të gjithë viktimave dhe të plagosurve”, ka thënë Haradinaj.

Sulmet në Paris i ka dënuar edhe Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovë.

"Në këto momente të vështira për Francën ne ndajmë dhimbjen dhe pikëllimin e thellë me familjarët e viktimave, me popullin francez dhe me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, duke u lutur që bota mos të përballet me veprime të tilla të tmerrshme", thuhet në deklaratën e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Aktet e tilla terroriste që sjellin viktima, terror e dhunë ndaj njerëzve të pafajshëm janë të papranueshme, antinjerëzore dhe si të tilla paraqesin rrezik e sfidë për njerizimin në përgjithësi e botën demokratike në veçanti", vijon deklarata.

Bashkësia Islame e Kosovës lutet që Zoti t'i mëshirojë shpirtrat e viktimave të pafajshme, kurse për të plagosurit që të shërohen sa më shpejt.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG