Ndërlidhjet

Ndërtimi i termocentralit “Kosova e re”, fillon në 2016


Projekti "Kosova e re"

Projekti "Kosova e re"

Pas një dekade të inicimit të projektit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”, është konfirmuar të premten se ky termocentral pritet të fillojë të ndërtohet në fund të vitit 2016 dhe të përfundojë pas gjashtë viteve në vitin 2022.

Kështu ka deklaruar ministrit i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Blerand Stavileci, pas takimit që kanë pasur me Komitetin Drejtues të termocentralit "Kosova e re".

Ministri Stavileci ka treguar se komitetit drejtues i termocentralit është dakorduar që kompanisë Contour Global, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i jepet statusi i ofertuesit të preferuar.

“Prej sot e tutje ne punojmë 4 deri në 6 muaj për të pasur përmbylljen komerciale, pastaj dalim te pakoja tenderuese për ndërtim edhe aty shkojnë disa muaj, dhe ne presim që orientimisht nga fundi i vitit 2016 fillimi i vitit 2017 të fillohet me ndërtimin”.

“Nga momenti që niset për ndërtim e deri në futjen në funksion do të jetë në mes viteve 2021 dhe 2022. Pra, kjo është shtrirja kohore e realizimit të projektit”, ka bërë të ditur Stavileci.

Vendimi për ndërtimin e këtij projekti ishte marrë qysh në vitin 2006, menjëherë pas formimit të Ministrisë së atëhershme të Energjisë dhe Minierave. Si projekt është zvarritur nga viti në vit, dhe si i tillë kishte pësuar shumë ndryshime.

Fillimisht termocentrali ishte projektuar me 2,100 megavat. Pastaj, projekti u riemërua nga Termocentrali “Kosova C” në “Kosova e re”, dhe u ul kapaciteti prodhues në 1,000 megavat.

Ndërsa, ndryshimi i tretë bëhet kur shpallet tenderi për ndërtimin e termocentralit me 600 megavat, dhe nga pakoja tenderuese hiqet ndërtimi i termocentralit “Kosova B”.

Tani, ministri Stavileci ka treguar se termocentrali “Kosova e re”, do të ketë kapacitetet gjenerues prej 500 megavatë, me të cilin do të bëhet një zgjidhje afatgjate dhe do të arrihet një qëndrueshmëri me energji elektrike në vend.

“Pra, ne kemi një kapacitet prej 500 megavatësh, me një efiqencë 40 për qind, me një kosto investive 1 miliard euro, me një ekuitet, pra kapitali i investitorit privat që do të futen brenda projektit deri në 30 për qind, me normë të interesit të kthimit të brendshëm në pjesën e ekuitetit jo për krejt vlerën investive, 21.5 për qind, me një efekt në tarifa prej 30 për qind, pra më një çmim të përballueshëm”, ka sqaruar Stavileci.

Përveç tjerash, Stavileci ka theksuar se ky projekt do të sjellë gjenerim të madh të punësimit.

Ai ka thënë se mbi 10 mijë persona do të mund të punësohen gjatë ndërtimit të termocentralit, derisa 500 persona do të jenë të punësuar të përhershëm.

Ndryshe, Termocentrali “Kosova e re” llogaritet të jetë një ndër projektet më të mëdha në Kosovë.

Në raportet e deritashme të organizatave ndërkombëtare për sistemin energjetik të Kosovës, vlerësohet se “një pengesë e madhe në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës është furnizimi joadekuat dhe jo i besueshëm me energji elektrike”.

Bizneset në Kosovë barrierë kryesore në të bërit biznes kanë pasur edhe mosfurnizimin e rregullt me energji elektrike.

Po ashtu, sektori privat në Kosovë, sipas studimeve të bëra ishte vlerësuar se ka humbur rreth 300 milionë euro në vit, si pasojë e mosfurnizimit të rregullt me energji elektrike.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG