Ndërlidhjet

Bizneset do të ndëshkohen nëse s'lëshojnë kuponë fiskal


Foto arkivi.

Foto arkivi.

Qytetarët e Kosovës duket se janë vetëdijësuar për të kërkuar pajisjen me kupona fiskal pas çdo blerjeje të produkteve të nevojshme në biznese të ndryshme afariste.

Edhe pse, sipas tyre, ka raste kur kryesisht dyqane të vogla, nuk janë të pajisura me arka fiskale.

Hazir Berisha, mbi të 60-tat nga Prishtina, është ekonomist me profesion.

Berisha tregon se qendrat tregtare, vazhdimisht pajisen me kupona fiskal, por situatë ndryshe, thotë ai, paraqitet te bizneset e vogla.

“Bizneset e vogla nuk janë të pajisura apo nuk kanë ndonjë kontroll të veçantë për përmbushjen e konsumatorëve me kupona fiskal. Duket se nuk është në nivelin e kërkesave organizimi i biznesit me arkat fiskale”, tha Berisha

Besiana Ferati, nga qyteti i Fushë Kosovës, është e papunë.

Ajo kujdeset për furnizimin me gjërat e nevojshme të familjes. Besiana thotë se vazhdimisht pranon kuponë fiskal nga bizneset, pasi thotë ajo, nuk shërbehet në dyqanet të cilat nuk lëshojnë kupona fiskal.

"Shumica e bizneseve lëshojnë kupona fiskal. Nëse shitësit harrojnë, unë e kërkoj kuponin. Unë kryesisht furnizohem në markete të mëdha këtu, dhe gjithmonë pajisem me kuponë fiskal”, thotë zonja Ferati .

Ndryshe, procesi i vendosjes së arkave fiskale ka filluar në vitin 2009, dhe qëllimi nga Administrata Tatimore e Kosovës ishte evitimi i evazionit fiskal, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe shitjet në një dyqan.

Sidoqoftë që nga ajo kohë, nga 130 mijë kompani, sa llogariten të jenë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, deri në shtator të këtij viti, sipas Administratës Tatimore të Kosovës, numri i bizneseve të fiskalizuara është mbi 22 mijë, ndërsa numri i pajisjeve elektronike fiskale është 29 mijë.

Administrata Tatimore e Kosovës, me anë të një komunikate për media ditën e hënë, ka rikujtuar të gjithë personat të cilët merren me aktivitete afariste se në bazë të legjislacionit tatimor, të gjitha bizneset që janë të pajisura me Pajisje Elektronike Fiskale, janë të obliguara të lëshojnë Kupon Fiskal, si dhe të bëjnë transmetimin e raporteve periodike në Administratën Tatimore të Kosovës.

Moslëshimi i kuponit fiskal nga Pajisjet Elektronike Fiskale dhe mostransmetimi i të dhënave në Administratën Tatimore të Kosovës, janë të ndëshkueshme me ligjet në fuqi.

Mosfiskalizimi i bizneseve me arka fiskale prodhon ekonomi joligjore, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Profesori i Ekonomisë, Musa Limani duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se në këtë proces duhet të angazhohen më tepër autoritet kompetente, por një kontribut të madh mund të japin edhe konsumatorët.

Sipas tij, konsumatorët duke mos blerë, i ndëshkojnë bizneset të cilat nuk janë të pajisura me këtë lloj arkash.

“Bizneset fshehin të hyrat e tyre, pikërisht duke mos dhënë kuponat fiskal. Kurse qytetarët nuk kanë shumë vetëdije për të kërkuar".

"Administrata Tatimore e Kosovës duhet të punojë më shumë në këtë drejtim, por edhe qytetarët duhet ta kërkojnë kuponin fiskal, sepse përmes tij ne rrisim mjetet buxhetore që do të thotë do të jetë në të mirën e Kosovës në të ardhmen”.

Administrata Tatimore e Kosovës, ndërkaq ka paralajmëruar se ka angazhuar në terren inspektorët Tatimorë, të cilët do t’i vizitojnë të gjitha bizneset, të cilat nuk kanë transmetuar të dhënat nga Pajisjet Elektronike Fiskale në Administratë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG