Ndërlidhjet

logo-print

Protesta e migrantëve në kufirin Maqedoni - Greqi


Mbi 1 mijë migrantë janë duke protestuar në zonën neutrale të kufirit mes Maqedonisë dhe Greqisë, pas vendimit të autoriteteve maqedonase, për të refuzuar hyrjen e migrantëve, të cilët nuk vijnë nga Siria, Iraku apo Afganistani.

Migrantët, të cilët autoritetet maqedonase i kanë cilësuar si migrantë ekonomikë, pasi vijnë nga vendet ku nuk ka konflikt në Lindjen e Mesme dhe Afikën e Veriut - si Irani, Maroku, Libia, Somalia dhe Bangladeshi - për të gjashtën ditë me radhë janë duke protestuar, duke refuzuar ushqimin.

Disa prej tyre madje kanë qepur edhe gojën, në shenjë kundërshtimi me vendimin e Shkupit zyrtar.

Migrantët protestues me gojën e qepur

Migrantët protestues me gojën e qepur

Por, autoritetet e vendit thonë se vendimin për kufizim të hyrjes e kanë marrë pasi janë njoftuar me vendimin e Serbisë dhe Kroacisë, se do të kthejjnë prapa migrantët të cilët nuk vijnë nga Siria, Iraku dhe Afganistani.

Përfaqësuesit e UNHCR-së në Maqedoni thonë se "gjatë fundjavës u është bërë e qartë autoriteteve se selektimi në bazë të përkatësisë shtetërore i migrantëve nuk është mënyra e duhur". Sipas tyre, në mesin e këtyre migrantëve ekonomikë, ka edhe persona të tillë që mund të plotësojnë kriteret për azil.

“Situata në zonën kufitare mund të them se është e qetë. Migrantët të cilët nuk u takojnë atyre tre vendeve [Sirisë, Afganistanit dhe Irakut] protestojnë qetë dhe dëshirojnë të hyjnë në Maqedoni”, ka deklaruar përfaqësuesja e UNHCR-së në Maqedoni, Lubinka Brashnarska.

Ekspertët e sigurisë thonë se Brukseli duhet të reagojë në një afat sa më të shkurtër kohor, për të regjistruar lëvizjen e migrantëve. Përndryshe, thotë Stojan Sllavevski, ekspert i sigurisë, Maqedonia mund të shëndrohet në një “kontenier” për migrantët .

“Një pjesë e migrantëve, na pëlqen neve ose jo, do të mbetet në Maqedoni. Po në këtë drejtim duhet pasur parasysh që ai numër të jetë në përputhje me mundësitë ekonomike që ka vendi dhe njëherësh ai numër i migrantëve të mos paraqesë rezik për sigurinë e vendit. Në këtë kontekst duhet të bisedohet dhe negociohet me Bashkimin Evropian”, thotë Stojan Sllavevski.

Ministria e punëve të Brendshme e Maqedonisë ka bërë të ditur se nuk ka pengesa gjatë regjistrimit të migrantëve, të cilët vijnë nga vendet e prekura nga lufta në lindjen e Mesme dhe Afrika e Veriut dhe se situata në pjesën jugore dhe atë perëndimoore të kufirit të Maqedonisë me Greqinë dhe Serbinë është e qetë, pavarësisht protestave të shënuara.

XS
SM
MD
LG