Ndërlidhjet

FSK dhe Armata e Maqedonisë zotohen për bashkëpunim


Takimi Rama-Veliçovski në Shkup.
Takimi Rama-Veliçovski në Shkup.

Pas takimit të së enjtes mes komandantit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, gjeneral-nënkolonel Rrahman Rama, dhe shefit të Armatës së Maqedonisë, gjeneral Metodija Veliçovski, në kuadër të vizitës zyrtare të Ramës në Armatën e Republikës së Maqedonisë, Veliçovski theksoi se "këmbëngulim që bashkëpunimin rajonal mes Maqedonisë dhe Kosovës ta jetësojmë në vepra konkrete përmes projekteve praktike".

"Me gjeneralin Rama jemi dakord se të gjitha nismat të cilat janë pjesë e konceptit "mbrojtje e mençur" nuk duhet të mbeten vetëm në letër, por ne, në nivelin tonë duhet t'i implementojmë, duke pasur parasysh se shtetet e vogla nuk kanë mjaft resurse që të zhvillojnë spektër të plotë të nevojave për forcat e armatosura".

"Në këtë drejtim jam optimist se do të bashkëpunojmë dhe nuk ka pengesa që bashkëpunimi të jetë i shkëlqyer", është shprehur gjeneral Veliçkovski.

Ai ka shtuar se qendra trajnuese e Armatës së Maqedonisë në Krivollak, do të jetë e hapur për më shumë aktivitete të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Ndërkaq komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës është fokusuar në mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit me Republikën e Maqedonisë në fushën e sigurisë.

"Do të bashkëpunojmë në këtë drejtim, në aspektin e sigurisë. Është qëllim dhe synim i yni që të jemi pjesë e të gjitha nismave ndërkombëtare sepse kjo është në të mirë të të gjitha shteteve në rajon dhe Kosova nga aspekti gjeografik është shumë afër".

"Njëherësh diskutuam dhe për mundësinë e shkëmbimit të informacioneve rreth eksperiencave tona, përkatësisht eksperiencës që kanë njësitë maqedonase në misionet paqësore ndërkombëtare dhe t`i ndajmë ato eksperienca sepse qëllimi dhe synimi ynë është që edhe Kosova të jetë pjesë e misioneve paqeruajtëse", është shprehur gjeneral Rama.

Dy drejtuesit e forcave ushtarake në Maqedoni dhe Kosovë, Veliçkovski dhe Rama, krahas bashkëpunimit në lëminë e sigurisë kanë theksuar më shumë dimensione të bashkëpunimit, atë të shëndetësisë, përgatitjes profesionale të kuadrit ushtarak.

Gjatë qëndrimit në Shkup, komandanti i FKS-së është pritur dhe edhe nga zëvendësministri i Mbrojtes së Maqedonisë, Hilmi Selami,dhe zëvendësshefi i shtabit të ARM-së gjeneral-major Muhamet Racaj dhe orëve të pasdites ka vizituar qendrën e trajnimit për pilot ku trajnohen dhe kadetët nga Kosova.

XS
SM
MD
LG