Ndërlidhjet

Kosova, pa mekanizëm për luftimin e konkurrencës së padrejtë në treg


Fabrikë në Dragash (Foto ilustruese)
Fabrikë në Dragash (Foto ilustruese)

Mosfunksionimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës në Kosovë ka paraqitur një varg problemesh në ekonominë e tregut në vend, tregojnë për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të shoqatave ekonomike që mbrojnë interesat e bizneseve.

Ata ngrenë shqetësim, se kompanitë të cilat janë dominuese në Kosovë, ka rrezik të keqpërdorin këtë pozitë dhe në mungesë të funksionalizmit të mekanizmit për mbrojtjen e konkurrencës së padrejtë, nuk mund të merren masa ndëshkuese.

Ardi Shita, ekspert ligjor nga kompania “Shita&Associates”, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se dukuria e konkurrencës së padrejtë në Kosovë, është e pranishme.

“Po, gjithsesi disa kompani, të cilat vetëm e kanë një pozitë dominuese në treg apo janë afër statusit të pozitës dominuese, ekziston rreziku potencial që mund ta keqpërdorin. Në terminologjinë juridike, këtë e quajmë abuzim me pozitën e tyre. Një treg jokonkurrues e dëmton përfundimisht konsumatorin, konsumatori është ai që humb si në kualitetin e shërbimeve ose cilësisë së produkteve, por edhe për çmimet që paguan”, tregon Shita.

Ligji për Konkurrencën në Kosovë ka për qëllim që të sigurojë zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së tregut në Kosovë, duke ndaluar veprimet që kufizojnë, shtypin ose çrregullojnë konkurrencën, siç është abuzimi me pozitën dominuese, marrëveshjet e ndaluara në formën e karteleve dhe bashkimet apo përqendrimet e ndërmarrjeve.

Të gjitha këto veprime që janë të përcaktuara me ligj, e të cilat ndëshkohen, nuk po arrijnë të luftohen në Kosovë, shton Shita, pikërisht për shkak të mosfunksionimit të trupës më të lartë që ka të bëjë me mbrojtjen e konkurrencës.

“Kuvendi i Kosovës, së bashku me Qeverinë e Kosovës, kanë qenë neglizhentë në këtë fushë, dhe konkurrenca në Kosovë e cila ishte dashur të rregullohet prej këtij rregullatori, është në gjendje të parregulluar".

"Kompanitë, të cilat kanë interes për realizmin e transaksioneve të mëdha, përqendrimeve, kompanitë të cilat kanë rrezik se mund të krijojnë pozitë dominuese në treg dhe të cilat mund të abuzojnë, nuk ka një trup të përshtatshëm që do të mundte të ushtonte funksion për t’i ndaluar këto veprime”, thekson Shita.

Edhe, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se emërimi i anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, është jashtëzakonisht i nevojshëm.

“Duhet theksuar se Autoriteti për Mbrojtjen e Konkurrencës luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e dispozitave që mundësojnë funksionimin e lirë të tregut, që është po ashtu një parim kushtetueses. Mosfunksionalizmi i këtij organi, përben edhe një shkelje të Kushtetutës”, thotë ai.

Ndryshe, për këto parregullsi eventuale që bëjnë kompanitë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës parasheh gjoba nga 10 mijë euro për menaxherët e kompanive, deri në 200 mijë euro për kompani.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që nga viti 2010 nuk ka gjobitur ndonjë kompani.

ueb faqen e këtij organi të pavarur, figuron 1 shtatori i vitit 2010 kur Komisioni Kosovar i Konkurrencës kishte ndëshkuar me nga 100 mijë euro kompanitë për shitjen e arkave fiskale.

XS
SM
MD
LG