Ndërlidhjet

Maqedoni: Një shuplakë e hapur elitës politike nga NATO-ja


Ilustrim

Ilustrim

Analistët politikë në Maqedoni thonë se vendosja e marrëveshjes politike të qershorit dhe korrikut, si kriter shtesë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, përveç kriterit për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, është një shuplakë e hapur për elitën politike në Maqedoni.

“Pasi kemi të bëjmë me një kaos institucional këtu në Maqedoni, nuk mund të themi se bëhet fjalë për kriter shtesë, por bëhet fjalë për kritere, të cilat kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit ligjor, si një nga shtyllat kryesore që kërkohet të përmbushë çdo vend që synon integrimin në NATO apo Bashkimin Evropian", thotë Nazmi Maliqi, ish zëvendës ministër i Mbrojtjes në Maqedoni.

"Rregullat që cilësohen si shtesë, janë pjesë e rregullave që kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit ligjor dhe politikat e sigurisë së vendit tonë. Porosia e fundit që vjen nga NATO, duhet të paraqes një shtytje për angazhimin e të gjitha palëve nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, që të zbatojnë pikat e saj, si dhe të intensifikohen bisedimet me Greqinë për përafrimin e qëndrimeve, që do të çonin kah zgjidhja e kontestit të emrit”, thotë zoti Maliqi.

Në deklaratën publike të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, në pjesën për Maqedoninë, është theksuar shqetësimi mbi zhvillimet e fundit politike në Maqedoni dhe u është bërë thirrje të gjitha palëve për ta respektuar dhe për të vazhduar zbatimin e marrëveshjes së qershor-korrikut, në të cilën pika kyçe është mbajtja e zgjedhjeve të lira, instalimi i dialogut politik, sundimi i ligjit, si dhe liria e mediave.

Por, shefi i diplomacisë maqedonase konsideron se Maqedonia mbetet e përkushtuar në integrimin e vendit në NATO, duke theksuar se vetoja greke është ajo që pa të drejtë e mban vendin jashtë strukturave veriatlantike.

“Ne mbetemi në angazhimin tonë për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në NATO, një diçka që vendi ka kohë që e ka merituar, së paku që nga vitit 2008, kur edhe formalisht u konstatua dhe derisa nuk u imponua kontesti me emrin, Maqedonia do ta realizonte këtë qëllim".

"Por, edhe me këtë partneritet që kemi me NATO-n, për ne më me rëndësi është të përmirësohet imazhi, rritja e investimeve, ndjenja për një siguri më të madhe dhe vizioni, i cili na motivon të qëndrojmë në qëllimin për anëtarësim të plotë”, është shprehur shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Popovski.

Por, me këtë qëndrim nuk pajtohet ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin. Ai thotë se Maqedonia tani përveç emrit, duhet të përmbushë edhe detyrime të tjera, që kanë të bëjnë me analizimin e marrëveshjes politike.

“Vlerësoj se Maqedonia në këtë moment humbet edhe një shans edhe më të rëndësishëm nga ajo që kishte gjatë vitit 2008, për t'u bërë pjesë e Aleancës Verialanike".

"Atëherë para vetes kishte sfidë çështjen e emrit, tani vendi përballet me sfida plotësuese, jetësimi i plotë i të gjitha pikave të cilat janë pjesë e marrëveshjes politike të qershorit, përkatësisht korrikut, gjë që në masë të konsiderueshme e vështirëson rrugën e integrimit të Maqedonisë në NATO. Autoritet e vendit nuk kanë aftësi për të përmbushur kriteret që kërkohen për anëtarësimin e vendit në strukturat euroatlantike”, thekson ish ambasadori Ruzhin.

Ndryshe, Maqedonia gjatë vitit 2008, edhe pse zyrtarisht kishte plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim në NATO, mbeti jashtë aleancës veriatlantike nga shkaku i problemit bilateral që ka Maqedonia me Greqinë lidhur me çështjen e emrit.

Zyrtarët më të lartë të NATO-s në atë kohë deklaruan se ftesa për Maqedoninë është aktive, dhe në momentin kur të zgjidhet çështja e emrit, vendi do të anëtarësohet në organizatën në fjalë.

XS
SM
MD
LG