Ndërlidhjet

Diskriminimi gjinor gjatë raportimit, i theksuar


Ilustrim
Ilustrim

Raportimi nga ana e gazetarëve të mediumeve në Kosovë për barazinë gjinore, sipas ‘’Rrjetit të Edukatorëve Bashkëmoshatar’’, nuk duket të jetë në nivelin e duhur.

Kështu është thënë në një tryezë të organizuar nga kjo shoqatë, ku thuhet se gazetarët në mediat e Kosovës nuk janë të profilizuar, andaj edhe në mungesë informacioni devijohet shpesh gjatë raportimit.

Shqipe Gjocaj, njohëse e çështjeve gjinore, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se janë duke synuar që të mbahen trajnime të ndryshme për gazetarët, pikërisht për mosdiskriminim të çështjeve gjinore.

"Mediat në përgjithësi diskriminojnë në bazë gjinore. Ne nuk mendojmë se kjo bëhet qëllimshëm, por mungon informacioni bazë. Arsyeja pse jemi mbledhur është që të synojmë bashkëpunim afatgjatë me gazetarët, dhe të bëjmë ngritje të kapaciteteve në këtë lëmi si dhe të krijohet rrjeti bashkëpunues, që koncepti burrë edhe grua të prezantohet në mënyrë të shëndetshme", tha Gjocaj.

Edhe gazetari Agron Krasniqi, ka dhënë mendimin e tij lidhur me problematikën e profilizimit të gazetarëve nëpër media.

"Mendoj se ndonjëherë edhe gabojnë gazetarët, por problem është mosprofilizimi i gazetarëve. Tek ne është një problem që sot një gazetar përcjell arsim, nesër shëndetësi e më pas një ngjarje politike. Nuk trajnohen dhe nuk i zgjedhin çështjet që ata do të merren gjatë profesionit të tyre që do ta ushtrojnë në një medium të caktuar".

"Por, problem është edhe te gazetarët, pasi që në këtë rast në trajnim për barazi gjinore, ata kanë hezituar të vijnë, pasi që nuk e dinë se kur do t’ju bie ta përcjellin një ngjarje që ka të bëjë me aspektin gjinor", tha Krasniqi.

Ndërkaq Dardan Hoti, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka thënë se marrin ankesa sidomos nga organizatat që merren me të drejtat e njeriut, apo edhe nga shoqëria civile, për diskriminim gjinor gjatë raportimit.

"Kemi pranuar ankesa nga OJQ-të, që mirren me çështje si gratë e dhunuara, dhe ato që luftojnë për barazi gjinore. Shoqëria civile ankohet që gazetarët nuk dinë t'ju çasen, andaj edhe është nisur kjo iniciativë në mënyrë që në të ardhmen të ketë edhe trajnime".

"Ne kemi parë që mediat në Kosovë ballafaqohen me probleme të shumta, e edhe gazetarët gjithashtu. Gazetarët nuk janë të profilizuar, dhe sot jemi duke raportuar për çështjet gjinore. Asnjë gazetarë në mediat në Kosovë nuk është i profilizuar për çështjen gjinore, dhe shpeshherë kur bëjnë raporte me këtë çështje edhe gabojnë sidomos në terminologji. Kjo ndodhë edhe gjatë raportimit për gratë e dhunuara", tha Hoti.

Sidoqoftë, Kadri Gashi, i cili udhëheq projektin "Iniciativa e Djemëve të Rinj" me fushatën ‘’Bonu Burrë’’ në kuadër të ‘’Rrjetit të Edukatorëve Bashkëmoshatar’’, ka thënë se nëpër mediat në Kosovë raportohet në atë mënyrë që të diskriminohet barazia gjinore.

"Ne kemi rastin kur një media vendore e ka shkruar një artikull që ka qenë projekt i yni, që djemtë dhe burrat të gatuajnë, ata kanë raportuar si djemtë e klubit ‘’Bonu Burrë’’ janë bërë kuzhinierë. Ky titull është diskriminues ndaj djemëve dhe burrave pasi që edhe ata janë pjesë e shoqërisë dhe ata duhet të gatuajnë dhe ska pse të bëhen kso dallime. Mendoj që duhet të thehen këto stereotipe", tha Gashi.

Ndryshe, barazia gjinore është përcaktuar si një parakusht për integrime evropiane dhe si e tillë është në Plan të Veprimit për partneritet evropian.

XS
SM
MD
LG