Ndërlidhjet

VOX

VOX me të rinjtë: Dhuna ndaj gruas, fenomen me pasoja


Ilustrim

Ilustrim

Dhuna ndaj grave, si formë e dhunës në familje, ndonëse në Kosovë nuk është në përmasat e dekadave më parë, ajo vazhdon të mbetet fenomen shqetësues, të cilit i nevojitet qasje shumëdimensionale, vlerësojnë disa të rinj në Prishtinë.

Në rubrikën e përjavshme të Radios Evropa e Lirë, “VOX”, shumica e të rinjve thonë se fenomeni i dhunës ndaj gruas, është produkt inert i mentalitetit të vjetër dhe primitiv.

Andi Jusufi, student i Infermierisë, shpreh mendimin se dhuna ndaj gruas ende është e pranishme, si një fenomen që prodhon pasoja të dëmshme sociale.

“Unë mendoj që ende gjendet ky fenomen. Çka sjell te ky fenomen, nuk jam shumë i sigurt, por mendoj që është ai zakoni i moçëm, nga traditat e vjetra. Tash, gruaja dhe burri janë 50 me 50 dhe këtu nuk po përshtaten, por, normalisht edhe aspekti social dhe ekonomik. Këtu mendoj se vjen deri te dhuna ndaj gruas. Pasojat janë të mëdha, sepse shkohet në divorc, i humbin fëmijët e fëmijët mbeten rrugëve”, thotë Andi.

Elmira Stollaj, studente e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, po ashtu, vlerëson se fenomeni i dhunës ndaj gruas ende vazhdon të jetë prezent në vend dhe, sipas saj, sidomos në vendet rurale, ku emancipimi i shoqërisë ka hasur në ngecje.

“Po, ka ende raste, sidomos në vende që janë më pak të zhvilluara, nëpër fshatra dhe vende rurale. Kjo çon deri te ndarja, te prishja e familjes. Kjo sjell edhe shumë pasoja psikologjike te fëmijët, si ngecja në mësim dhe sjellja me fëmijët tjerë”, pohon Elmira.

Abdyl Dërvishi, i cili studion për Turizëm dhe Hotelieri, thotë se rastet e dhunës ndaj gruas, nuk janë më sikur disa vite më parë, por ky fenomen, vazhdon të jetë prezent ende:

“Tash është zvogëluar ky numër, por ekziston ende. Ka ende nëpër fshatra, te të vjetrit, që për pak gjë kërcet dajaku. Duhet të dialogohet dhe të kryhet puna me fjalë, e jo me dajak. Shumë keq, por me këtë punë duhet të merret shteti. Normalisht që edhe mentalitetin duhet ndryshuar, por te ne ende ka tjetër mentalitet, ende ka të tillë me zakone të vjetra”.

Por, cilët janë shkaktarët, sipas të rinjve, që sjellin deri te dhuna ndaj gruas?

Njomëza Daliu, studente në Fakultetin e Biologjisë në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se shkaqet që çojnë deri te dhuna në familje, e sidomos te dhuna ndaj gruas, janë kryesisht ato sociale, si dhe botëkuptimet e ndryshme.

“Problemet kryesore shkaktohen prej varfërisë. Prej varfërisë lindin konfliktet, pastaj, tradhtia dhe gjëra tjera. Në qoftë se bashkëjeton një burrë, me një femër të shtresës së ulët, e ai është i shtresës së lartë, atëherë, siç po shihet kohët e fundit, të gjithë bëjnë pas pasurisë dhe pastaj lind edhe tradhtia. Këto janë konflikte në përgjithësi. Unë aspak nuk mendoj se kjo është forma, sepse në një çift duhet të ekzistojë mirëkuptimi dhe sjellja. Dhuna nuk është zgjidhje asnjëherë”, konsideron Njomëza.

Mendim të ngjashëm ka edhe Besart Ferati, student i Fizioterapisë:

“Çka e sjell (dhunën ndaj gruas)? Ndoshta xhelozia e tepruar e burrit ndaj gruas ose anasjelltas. Kjo mund të jetë shkaktar. Por, sado që të jenë kushtet e këqija, nuk mendoj që dhuna mundet të jetë zgjidhja e të gjitha këtyre punëve”.

Mënyra më e mirë është me dialog, me mirëkuptim, sepse dhunën nuk e shoh të arsyeshme. Besoj që e gjithë kjo ndikon më shumë edhe te fëmijët, sepse nuk është gjë e mirë që t’i shohin prindërit në atë gjendje. Ata e humbin ndjenjën e dhembshurisë ose ndjenjën për prindërit e tyre, kur i shohin në atë gjendje. E humbin besimin në ta”.

Agnesa Azemi, studente në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, thotë se fenomeni i dhunës ndaj gruas, është pasojë e bartur nga e kaluara, ndonëse jo në përmasat që ka qenë atëherë.

“Mendoj që ekziston, por jo në masën që ka qenë më herët. Mendoj që është edhe shkollimi jo i duhur që e kanë pasur femrat te ne, më herët. Kjo mendoj se është arsyeja kryesore pse vjen deri te kjo dhunë. Do të thotë, janë mësuar dhe janë shkolluar në atë mënyrë që nuk duhet ta kthejnë fjalën ndaj mashkullit. Mendoj që ka pasoja të mëdha, sepse, në qoftë se një pozitë të një nëne nuk e mirëpret së pari kryefamiljari, burri i vet, atëherë edhe fëmijët e tyre do ta vazhdojnë njësoj. Do të thotë, do ta vazhdojnë atë si një ‘traditë’, jo të mirë”, thekson Agnesa.

Plator Ejupi, student i Menaxhmentit në Universitetin e Prishtinës, thotë se në kërkimet që ka bërë, del se rastet e dhunës ndaj grave janë ende të shumta. Sipas tij, këtë fenomen, duhet çrrënjosur aty ku më së shumti mund të ketë sukses - te fëmijët.

“Ka dalë që ka shumë raste. Por, në fakt, krejt kjo është pasojë e një realiteti shumë të keq, i një mentaliteti që ne shqiptarët e kemi ende, mentalitetit, ku gruaja është shumë e shtypur dhe ende ne vazhdojmë me atë kohë primitive. Ka kaluar prej kohërave të lashta dhe e gjithë kjo mund të ketë ardhur me inercion. Për ta bërë një ndryshim, duhet të fillohet nga mentaliteti i njerëzve”.

“Ne, nëse duam ta ndryshojmë këtë mentalitet, nuk duhet ta fillojmë prej shtresave të larta (moshuarve), sepse ata tashmë janë plakur me atë mënyrë. Por, duhet të fillojmë me moshat e vogla, shumë të vogla, të cilat mund të fillojnë diçka të re, traditë tjetër, që nuk është e njëjtë me të vjetrën”, shprehet Platori.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, çdo vit në Kosovë raportohen më shumë se 1 mijë raste të dhunës në familje, prej të cilave rreth 95 për qind janë ndaj grave.

Aktualisht, është duke vazhduar fushata kundër dhunës në baza gjinore, e cila fushatë ka nisur më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Ndaj Grave, dhe do të zgjasë 16 ditë.

Fushata po mbahet nën patronazhin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, të Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, si dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG