Ndërlidhjet

Nëna e Farkhundas: "Mizori përtej imagjinatës"


Nëna e Farkhundas
Nëna e Farkhundas

Nëntë muaj pasi iu vra vajza nga një turmë njerëzish në Kabul, për Hajera Bibi, emocionet janë ende të freskëta.

Farkhunda Malikzada, 27 vjeçare, u rrah për vdekje më 19 mars të këtij viti.

Ajo gabimisht u akuzua për djegien e kopjes së Kuranit ndërsa trupi i saj u morr nga një veturë dhe u dërgua për t'u djegur afër një vendi të shenjtë në kryeqytetin afgan.

Hajera Bibi është zhvendosur në Taxhikistanin fqinj, ku tashmë ajo jeton së bashku me familjen e saj, në një banesë të marrë me qira, në një lagje të qetë të Dushanbe.

“Ajo është gjithmonë në mendjen time, unë ende e shoh fytyrën e saj dhe më duket sikur ka ndodhur dje”, tha ajo në një intervistë, dhënë shërbimit të Taxhikistanit të Radios Evropa e Lirë.

Ajo tha se flokët i janë zbardhur që kur Farkhunda u vra.

“Si është e mundur që në tokë të vritet një grua në mënyrën qysh është vrarë ajo?”, pyet Hajera. “Ky nivel i mizorisë nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës”.

Vrasja e Farkhunda Malikzada kishte ngjallur protesta të shumta në Afganistan, ndërsa rasti i saj ishte dënuar nga mbarë bota.

Teksa fshin lotët, Hajera Bibi kujton ditën kur Farkhunda u largua nga shtëpia, për të shkuar në mësime fetare, duke i thënë familjes se do të ndalej “në Universitet për të kryer disa punë formale”.

“Në mesditë kam biseduar me të në telefon dhe ajo më tha: Nënë, unë jam rrugës për në shtëpi”, kujton Hajrera Bibi.

Rrugës për në shtëpi, Farkhunda, një studente për fe dhe një myslimane e devotshme, sipas nënës së saj, ishte ndalur për t'u lutur në vendin e shenjtë Shah-e Do-Shamshera.

Sipad dëshmitarëve okularë, Farkhunda kishte pasur një debat me kujdestarin e tempullit, mbi disa letra që përmbanin vargje nga Kurani, e të cilat shiteshin nga disa njerëz si "letra me ndikim shërues" për të sëmurët.

Akuzat false

“Farkhunda i cilësonte hajmalitë si joislamike”, tha Hajera Bibi.

Kujdestari i tempullit e akuzoi atë se e ka djegur një kopje të Kuranit, një pretendim nga ai, që nxiti sulmin dhe vrasjen e saj.

Pamjet e tmerrshme të incizuara nga telefonat mobil, paraqesin Farkhundën të veshur me një mbulesë të zezë, duke u tërhequr zvarrë dhe duke i lutur sulmuesit që të ndalonin.

Sulmi, i cili përfundoi me djegien e trupit të saj dhe hedhjen në lumin e Kabulit, u zhvillua në mes të ditës dhe në prani të policisë.

Familja e ka shfaqur pakënaqësinë e saj për mosveprimin e policëve, të cilët ishin në detyrë, në zonën ku ka ngjarë krimi.

Por, Hajera Bibi thotë se është tronditur më shumë kur organet e policisë në natën e sulmit, e kishin udhëzuar familjen që t'u thonë të gjithëve se Farkhunda e kishte një sëmundje mendore.

E arsimuar, intelegjente

Vajza e saj nuk vuante nga ndonjë sëmundje e tillë, por siç thotë e ëma, ajo ishte “e arsimuar, intelegjente dhe person shumë i sjellshëm”.

“Por unë nuk thash asgjë”, thotë Hajera Bibi teksa kujton bisedën me zyrtarët e policisë në Kabul. “Unë i lutem Zotit për drjetësi”.

Hajrera Bibi tha se policia i kishte thënë asaj dhe familjes që për çështje të sigurisë, të largohen nga Kabuli.

Për tre muajt e ardhshëm, familja kishte jetuar në mes të krahinës së tyre të origjinës Kapisa dhe Kabulit, duke shikuar dhjetëra persona që kanë shkuar në gjyq për vrasjen e Farkhunda Malikzada, në mesin e të cilëve edhe 11 policë.

Një hetim i policisë zbuloi se Farkhunda Malikzada nuk kishte djegur asgjë.

Videoja e incizuar me telefon dhe seancat gjyqësore janë transmetuar në televizionin kombëtar.

Vrasja e vajzës, thotë Hajera Bibi, e ka kthyer në përmbys jetën e familjes së saj.

Vajzat e saj më të reja janë shumë të frikësuara për të shkuar në shkollë dhe familja në përgjithësi, sipas saj, është e zhgënjyer se si njerëzit e zakonshëm i trajtojnë vajzat me një mizori të tillë.

“Të gjithë fqinjët në lagje e kanë njohur Farkhundan si një vajzë shumë të mirë dhe nga një familje e respektuar”, thotë Hajera Bibi.

Burri im është inxhinier, i cili ka diplomuar në Gjermani dhe po punonte si përkthyes i gjuhës gjermane në Kabul. Të gjithë djemtë dhe vajzat e mia janë të shkolluar”, tha ajo

Gjatë verës, familja u zhvendos në kryeqytetin e Taxhikistanit që ta rindërtojë jetën larg Kabulit, vend i cili familjes i “kujton gjithçka” rreth Farkhundas, madje edhe sulmin e turmës që ia mori jetën dhe “ëndrrat për t’i përfunduar studimet, për t'u martuar e për të krijuar familjen e saj”.

Hajera Bibi thotë se është mirënjohëse ndaj autoriteteve në Dushanbe për dhënien e vizës së Taxhikistanit tërë familjes.

Por, ajo është e pavendosur për të ardhmen.

Hajera Bibi thotë se kur i sheh gratë në Dushanbe duke e jetuar jetën e tyre dhe duke punuar në paqe, mendja i shkon te trajtimi që iu bëhet grave në Afganistan.

Shumë gra afgane shpesh përballen me mizori, duke përfshirë edhe dhunën në familje dhe sipas Hajera Bibit, autorët e këtyre krimeve, zakonisht nuk ndëshkohen.

Ajo vë në pah vdekjen me gurë të 19 vjeçares Rukshana, në qendër të provincës Khor, në muajin tetor.

Dhe derisa Hajera Bibi mundohet t’i rikthehet jetës normale në Taxhikistan, një Gjykatë e Apelit në Afganistan e ka hedhur poshtë dënimin me vdekje për vrasjen e Farkhunda Malikzada, ndërsa i ka ulur disa dënime të gjata që ishin shqiptuar për të akuzuarit.

Familja e Farkhunda Malikzada ende kërkon drejtësi. Bashkëshorti i Hajerës dhe vajza e saj, së fundi kanë udhëtuar në Kabul për të biseduar me avokatët dhe autoritetet afgane përkitazi me rastin.

Përgatiti: Selvije Bajrami
XS
SM
MD
LG