Ndërlidhjet

ASHAK shënon 40 vjetorin e themelimit


Ilustrim
Ilustrim

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka shënuar sot 40 vjetorin e themelimit të saj.

Në këtë përvjetor jubilar, është organizuar edhe një ceremoni ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve dhe personalitete akademike nga Kosova dhe jashtë saj.

Kryetari i ASHAK-ut, Hivzi Islami, tha se shoqëria në Kosovë "pati një rrugëtim me sakrifica të mëdha për liri, e me të cilat u përball edhe Akademia".

“Edhe sot përballemi me sfida nga propaganda serbo –ruse, dhe mos anëtarësimi në UNESCO e dëshmoi këtë”, ka thënë Islami.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se "shtet-bërja e Kosovës bazohet mbi punën e përbashkët të secilës pjesë të shoqërisë dhe në këtë rrafsh Akademia ka forcë dhe potencial për të dhënë kontributin e vet për zhvillimin e vendit".

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se roli, "aktivitetet, mendimi dhe organizimi, që kanë buruar nga Akademia, janë të rëndësisë esenciale për progresin e vendit tonë në rrafshin historik, politik, ekonomik dhe social".

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli vlerësoi se "dyzet vitet e ekzistencës së Akademisë paraqesin edhe vite të historisë më të re të Kosovës, të ringritjes historike, politike, arsimore e kulturore".

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës u themelua në vitin 1975, fillimisht si Shoqatë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e në vitin 1978 shndërrohet në Akademi.

Shoqata u transformua në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës përmes Ligjit mbi Themelimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës i datës 18 prill 1978.

XS
SM
MD
LG