Ndërlidhjet

Serbi: 79 të arrestuar për korrupsion

  • RFE /RL

Policia e Serbisë

Policia e Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka bërë të ditur se forcat policore serbe kanë arrestuar 79 persona në një aksion kundër korrupsionit.

Sipas tij, në mesin e të arrestuarve janë një ish-ministër, dy ish-zëvendësministra, disa kryetarë dhe ish-kryetarë komunash, disa drejtorë të kompanive publike dhe disa biznesmenë.

Stefanoviq ka thënë se të gjithë ata janë arrestuar nën dyshimet se qysh në vitin 2004 kanë kryer disa vepra penale, me të cilat kanë dëmtuar shtetin për më shumë se 100 milionë euro.

“Ky aksion është kryer me qëllim parandalimin e krimit financiar dhe të korrupsionit, veçanërisht të keqpërdorimeve në organet shtetërore, ndërsa kundër të arrestuarve janë ngritur disa padi, nën dyshimet se qysh nga viti 2004 e deri më sot kanë kryer disa vepra penale: shpëlarje parash, keqpërdorim të detyrës zyrtare, falsifikim dokumentesh, dhënie dhe marrje ryshfeti e të tjera”, ka thënë Stefanoviq.

Ai nuk i ka përmendur emrat e plotë të të arrestuarve, por vetëm inicialet dhe funksionet që kanë kryer.

Mediat në Beograd raportojnë se të arrestuarit përfshijnë ish-ministrin e Bujqësisë, Sllobodan Millosavleviq, ish-drejtoren e Agjencisë kundër Korrupsionit, Zorana Markoviq, dhe pronarin e kompanisë “Beohemija”, Zhelko Zhuniq.

Ministri Stefanoviq ka thënë se keqpërdorimet më të mëdha lidhen me shpërdorimin e tokave për ndërtim.

“Bëhet fjalë për shifra milionëshe që kanë dëmtuar shumë buxhetin tonë”, ka thënë Stefanoviq.

Mediat serbe e kanë vlerësuar këtë si aksionin më të madh kundër korrupsionit në Serbi, në disa dekada.

Gazeta serbe “Informer”, e afërt me qeverinë, të martën ka raportuar se po përgatitet “aksion spektakolar i arrestimeve në gjithë vendin”.

Arrestimet vijnë dy javë pasi Serbia ka hapur bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Dy kapitujt e parë të këtyre bisedimeve janë Kapitulli 35 për normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën dhe Kapitulli 32 për kontrollin financiar.

Autoritetet janë duke punuar intensivisht në çrrënjosjen e korrupsionit, i cili ka fituar terren të fortë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990. Në muajin qershor, ato kanë akuzuar dhjetëra policë dhe doganierë për korrupsion.

Organizata për monitorimin e korrupsionit Transparency International e radhit Sebinë si njërin nga vendet më të korruptuara në Evropë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG