Ndërlidhjet

Qeveria dënon dëmtimin e varrezave katolike në Romajë të Hasit


Ilustrim
Ilustrim

Qeveria e Republikës së Kosovës, përms një komunikate të lëshuar, e ka dënuar dëmtimin e varrezave katolike në fshatin Romajë të Hasit.

“Thyerjet dhe dëmtimet e varrezave janë akte të ulëta kriminale, të cilat, përkundër përpjekjeve të izoluara, nuk do të arrijnë të cenojnë në asnjë mënyrë raportet vëllazërore dhe tolerancën ndërmjet qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga qeveria.

Populli i Kosovës, siç thuhet në komunikatë, është shembull i harmonisë së mirëfilltë ndërmjet komuniteteve fetare.

Qeveria ka thënë se qëndron pranë familjeve të prekura dhe shpreh mbështetjen e plotë për banorët e fshatrave Romajë e Dedaj.

Varrezat katolike në fshatrat Romajë dhe Dedaj janë demoluar ditëve të fundit por nuk dihet se cilën ditë saktësisht. Policia në Prizren i ka nisur hetimet, por ende askush nuk është arrestuar.

Qeveria e Kosovës i ka inkurajuar organet e rendit për punën që po bëjnë për “të vënë para përgjegjësisë personat që kanë kryer këtë akt të shëmtuar”.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, përmes një postimi të bërë sot në rrjetin sociale Facebook, ka thënë se me indinjatë të thellë e ka pranuar lajmin për rrënimin e varrezave në Romajë të Hasit.

“Duke shprehur keqardhje dhe duke u solidarizuar me banorët e Dedajve në Romajë, jam i bindur që nuk ka forcë që mund të mbjell përçarje mes qytetarëve të Kosovës, që shquhen për tolerancë fetare, respekt të ndërsjellë dhe harmoni religjionesh”, ka shkruar Thaçi, teksa sulmin mbi varreza e ka quajtur “akt barbar mbi një vlerë universale njerëzore”.

XS
SM
MD
LG