Ndërlidhjet

Maqedoni: Periudhë e shkurtër për reforma në administratë


Në bazë të ligjeve që e rregullojnë punën e administratës në pushtetin qendror, Qeveria e Maqedonisë është e obliguar të publikojë regjistrin e të gjithë të punësuarve në administratë, në mënyrë që të krijohet një pasqyrë e qartë rreth punonjësve administrativ.

Pavarësisht kësaj, askush nga autoritet shtetërore nuk është prononcuar me saktësi se kur do të bëhet një gjë e tillë.

Autoritetet qeveritare thonë se në administratën shtetërore janë të punësuar 128 mijë e 253 administratorë, përderisa opozita thekson se në administratë ka mbi 180 mijë të punësuar.

Ndërkohë që vazhdojnë punësimet në administratën shtetërore, ekspertët thonë se periudha kohore para organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara të mbahen më 24 prill të këtij viti, është shumë e shkurtër për të bërë çfarëdo lloj reforme në administratë.

“Është fakt se gjatë dhjetë viteve të fundit administrata është parë si hapësirë që mundëson rekrutimin e kuadrove të partisë, si dhe realizimin e nevojave, përkatësisht dëshirave të krerëve të partive që janë në pushtet, dhe në këtë mënyrë të sigurojnë votues të devotshëm gjatë zgjedhjeve”, thekson Bojan Marriqiq nga Qendra për Arsim Evropian.

Ai ka theksuar se më e keqja është se gjatë periudhave para mbajtjes së zgjedhjeve, bëhen punësime pa kritere, që më pas është shumë e vështirë që këto kuadro të sistemohen në bazë të përgatitjeve të tyre profesionale.

Por, ministrja e administratës në Qeverinë e Maqedonisë, Marta Arsovska Tomovska, thotë se të gjitha institucionet shtetërore janë të angazhuara me shumë seriozitet në reformimin e administratës shtetërore.

Ministrja Tomovska gjithashtu ka njoftuar se punësimet që kanë për qëllim përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të komuniteteve në vend, më nuk do të bëhen përmes Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, por në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e institucioneve përkatëse sipas nevojës.

Në këtë mënyrë, ajo thotë do të mund të eliminohen problemet me administratorët e pasistemuar, të cilët marrin rrogë, por akoma mbeten në shtëpi sepse nuk janë sistemuar në vende të punës në sektorë të caktuar.

Ndërkohë, në realizim e sipër është pilot-projekti për vlerësimin e administratorëve, për të cilin opozita maqedonase ka kërkuar që të ndërpritet menjëherë, sepse, sipas tyre, në këtë formë ushtrohet presion ndaj të punësuarve në administratë, e veçanërisht ndaj atyre të cilët nuk janë përkrahës të politikave të partive të cilat janë në pushtet.

Por, ekspertët thonë se për politizimin e administratës, pos pushtetit, faj ka dhe opozita, sektori civil, madje dhe vet intelektualët, të cilët nuk kanë reflektuar me guxim që t'u thuhet ndal politikave që janë në kundërshtim me krijimin e një administrate profesionale.

“Po, kemi të bëjmë me një avaz të vjetër të elitave politike, të cilat nuk tentojnë të ofrojnë zgjidhje konkrete për zgjidhjen e problemeve, por fajin ia hedhin njëri-tjetrit".

"Gjithsesi se pjesa më e madhe e fajit bie mbi ata të cilët udhëheqin me institucionet, por nuk duhet liruar këtu nga përgjegjësia as opozita dhe as pjesëmarrësit e tjerë në shoqëri, të cilët nuk duhet të hyjnë në grackat e politikanëve, por e kanë për detyrë që me veprime konkrete të fokusojnë pikat nevralgjike që e bëjnë joefikase administratën shtetërore, e cila detyrë parësore e ka të jetë në shërbim të qytetarëve”, thekson Albert Musliu, drejtues i Institutit për Zhvillime Demokratike.

Ndryshe, për vite me radhë komuniteti ndërkombëtar ka theksuar problemin me politizimin e administratës shtetërore, ndërkohë që edhe në kuadër të marrëveshjes politike, një nga pikat ka të bëjë me ndërprerjen e menjëhershme të punësimeve në administratë, derisa të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

XS
SM
MD
LG