Ndërlidhjet

Haga, përfundimisht, selia e Gjykatës Speciale


(©Shutterstock)
(©Shutterstock)

Qeveria e Holandës ka bërë të ditur se Gjykata e Posaçme për krime lufte në Kosovë do të ngrihet në Hagë.

Gjykata do të hetojë krimet serioze të kryera në periudhën 1999-2000 nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe kundërshtarëve politikë, thuhet në deklaratën e Qeverisë holandeze.

Deklarata pranon se gjykimi i krimeve të luftës “është çështje e ndjeshme në Kosovë”.

“Të dyshuarit e mundshëm mund të shihen nga shtresa të shoqërisë kosovare si luftëtarë të lirisë, ndërsa dëshmitarët mund të ndjehen të kërcënuar në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Paraprakisht, edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Holandës kanë arritur marrëveshje për selinë e Gjykatës Speciale për Krime lufte.

"Marrëveshja është arritur, para 10 ditësh, në mes të një grupi punues të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Holandës, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian", ka thënë Mustafa para Vitit të Ri.

Kjo gjykatë do të jetë në kompetencë të prokurorëve e gjykatësve ndërkombëtarë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu, ka sqaruar se në Ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale janë të listuara të gjitha llojet e veprave penale, për të cilat do të jetë kompetente kjo gjykatë.

“Aty janë paraparë krimet e luftës që pretendohet dhe dyshohet se janë kryer, madje edhe krimet kundër njerëzimit. Por, në mesin e këtyre krimeve, në mënyrë specifike ceken veprat penale të vrasjes, të torturës, të rrëmbimeve, të keqtrajtimeve, të personave të cilët pretendohet se kanë qenë të zënë robër, e të tjera”, ka thënë Salihu.

Sipas profesorit Ismet Salihu, kjo gjykatë do të ketë kompetencë të hetojë e gjykojë edhe vrasjet të cilat janë kryer me motive politike.

“Pra, përveç vrasjeve me motive etnike, domethënë shqiptarët ndaj serbëve apo e kundërta, do të gjykohen edhe vrasjet e rivalëve politikë. Këso vrasjesh ne kosovarët e dimë që ka pasur”, ka deklaruar ai.

Gjykata Speciale pritet të nisë së operuari këtë vit.

XS
SM
MD
LG