Ndërlidhjet

logo-print

Demokratët lavdërojnë marrëveshjen me Iranin

  • RFE /RL

Hillary Clinton dhe Bernie Sanders

Hillary Clinton dhe Bernie Sanders

Kandidatët demokratë, që garojnë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, këtë nëntor, janë pajtuar se zbatimi i marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe lirimi i shtetasve amerikanë, të burgosur në Republikën Islamike, paraqet një hap pozitiv në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Megjithatë, ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, ka thënë se duhet ende kohë deri te normalizimi i plotë i raporteve dhe se Shtetet e Bashkuara duhet t’i bëjnë presion të mëtejshëm Iranit për “sjelljen e keqe” në rajon, sidomos në Siri.

Senatori i Vermontit, Bernie Sanders, i cili ka tejkaluar Clintonin në sondazhe, muajin e kaluar, ka thënë se ekzistenca e një marrëveshjeje bërthamore pa luftë dhe relaksimi i marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Iranit janë “shumë pozitive”.

Në debat ka qenë i pranishëm edhe kandidati tjetër për president, ish-guvernatori i Merillendit, Martin O’Malley, i cili ka mbetur shumë prapa në sondazhe.

Në lidhje me Lindjen e Mesme, të tre kandidatët janë pajtuar se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të jenë përgjegjëset e vetme për të vepruar kundër grupit militant Shteti Islamik.

Sanders ka thënë se është koha për vendet e tjera të pasura në rajon, si Arabia Saudite dhe Katari, që të përfshihen në këtë çështje dhe të punojnë për një zgjidhje politike të konfliktit në Siri, e cila do të përfshinte Rusinë, Iranin dhe aleatët myslimanë.

Clinton ka lavdëruar strategjinë e presidentit aktual, Barack Obama, për mbështetjen e luftëtarëve të moderuar lokalë në Siri, për udhëheqjen e sulmeve ajrore kundër caqeve të Shtetit Islamik dhe për punën e tij drej një zgjidhjeje diplomatike.

O’Malley ka kërkuar më shumë vëmendje në, siç ka thënë, mungesën e informacioneve të inteligjencës në Lindjen e Mesme dhe ka bërë thirrje për një strategji më “pro-aktive” për sigurinë kombëtare.

Derisa kandidatët kanë rënë dakord për shumë gjëra në politikën e jashtme, ata kanë qenë të ndarë në çështjet e brendshme, përfshirë kontrollin e armëve, sigurimin shëndetësor dhe financimin e fushatës.

Sanders ka thënë se sigurimet shëndetësore dhe lobet farmaceutike i kanë kostot e kujdesit shëndetësor tejet të larta.

Clinton ka akuzuar Sandersin se do që të anulojë programin historik të kujdesit shëndetësor që ka krijuar presidenti Obama. Ajo ka propopzuar vetëm përmirësimin e programit të njohur si Obamacare.

Clinton, javën e kaluar, ka lëshuar një reklamë, duke sulmuar Sandersin për qëndrimin e tij ndaj kontrollit të armëve. Shteti i Sandersit, Vermont, ka njërën nga normat më të larta të posedimit të armëve në SHBA.

Sanders ka anuar kah lobistët e armëve.

Në debat, Sanders, megjithatë, ka thënë se mbështet plotësisht planin e presidentit Obama për kontroll më të rreptë të prejardhjes së atyre që duan të blejnë armë.

Të tre kandidatët janë zotuar se do të rrisin pagën minimale të vendit, do të krijojnë vende të reja pune dhe do të sigurojnë që të gjithë të marrin pagë të barabartë për punën e barabartë.

Ky ka qenë debati i fundit i demokratëve përpara se këshillat zgjedhorë në shtetin e Ajoas, më 1 shkurt, të tregojnë se cilin kandidat preferojnë votuesit e shtetit. (v.tela)

XS
SM
MD
LG