Ndërlidhjet

Rritja ekonomike - kryefjala e Strategjisë Zhvillimore


Ilustrim(©Shutterstock)

Ilustrim(©Shutterstock)

Për herë të parë, Kosova ka aprovuar Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016 – 2021, e cila definon zhvillimin afatgjatë dhe gjithëpërfshirës të Kosovës.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, gjatë një konference për media, ka bërë të ditur për detajet e ë strategjisë, të cilën e ka cilësuar si mjaft të rëndësishme për ekonominë e vendit.

Kryefjala e kësaj strategjie, ka thënë ministri Hoti, është rritja ekonomike për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve, si dhe për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm.

“Strategjia Kombëtare përmban listën e prioriteteve zhvillimore dhe masat për evitimin e pengesave për zhvillimin e Kosovës. Pengesë kryesore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social në të kaluarën, ka qenë mungesa e kohezionit të politikave zhvillimore dhe koordinimit ndër-institucional”, ka theksuar Hoti.

Prandaj, nisur nga kjo, ka shtuar Hoti, strategjia siguron koordinimin e veprimeve të të gjithë institucioneve dhe aktorëve të përfshirë në proceset zhvillimore, parandalimin e proceseve të dyfishta institucionale, si dhe forcimin e llogaridhënies të zyrtarëve që janë përgjegjës për politikat zhvillimore.

Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, është theksuar se synon një reformim të procesit të politikë-bërjes, nëpërmjet vendosjes së objektivave zhvillimor të arritshëm dhe të definuar, si dhe duke përcaktuar përgjegjësinë dhe llogaridhënien nga ana e personave kompetentë.

Kjo strategji është e ndarë në katër shtylla, kapitali njerëzor, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë, zhvillimi i industrive konkurruese dhe zhvillimi i infrastrukturës.

Hoti ka theksuar se vetëm me kapitullin e parë të kësaj strategjie synojnë që në gjashtë vjetët e ardhshëm të kthejnë fuqinë punëtore të Kosovës në motor të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.

“Masat e parapara përfshijnë, rritjen e përfshirjes së fëmijëve në programe parashkollore, përmirësimin e cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet, ndërlidhjen e plotë të programeve arsimore me nevojat e tregut të punës, forcimin e llogaridhënies, në të gjitha nivelet e përgjegjësisë, ndërlidhjen e suksesit të mësimdhënësve me stimujt, si dhe planifikimin më i mirë të shpenzimeve dhe rritja e efikasitetit”, tregon Hoti.

Masat e përcaktuara në këtë strategji, sipas Hotit, janë të orientuara drejt rezultateve, të cilat janë të matshme dhe siç ka thënë ai, janë masa për të cilat mund të sigurohen burime të mjaftueshme për t’i realizuar.

Po ashtu Hoti ka theksuar se masat e përfshira në këtë strategji do të kenë prioritet gjatë alokimit të resurseve buxhetore.

Ndryshe, autoritetet e Kosovës vazhdimisht ishin kritikuar nga ekspertët e çështjeve ekonomike dhe përfaqësuesit e organizatave që mbrojnë interesat e bizneseve në Kosovë, për mungesën e një Strategjie Kombëtare për Zhvillim.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG