Ndërlidhjet

Rreth 20 familje nga Kosova duan të jetojnë në Siri 


Siri - Foto nga arkivi
Siri - Foto nga arkivi

Krahas shkuarjes së rreth 300 qytetarëve nga Kosova në luftërat e huaja në Siri e Irak, për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të shpallura si terroriste, interesim për të udhëtuar dhe jetuar në ato vende kanë shprehur edhe disa familje nga Kosova.

Kështu kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Në Drejtorinë kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës thonë se janë duke punuar aktualisht në identifikimin, parandalimin dhe hetimin e rasteve të tilla të dyshuara.

Shefi i Inteligjencës në Drejtorinë Kundër Terrorizmit, Blerim Rama tha se deri më tash janë identifikuar rreth njëzet familje që kanë dashur të shkojnë në Siri dhe Irak.

"Nuk është numri i madh i cili është duke tentuar të shkojë, por në krahasim me vitet 2013/2014, kur personat kanë shkuar me qëllim të luftimit, tash ka ndryshuar pak ky organizim dhe tash janë të interesuar të shkojnë bashkë me familje, gjë që është shqetësuese nëse shkojnë".

"Dihet se nga Siria po ikin shumë fëmijë, pleq dhe gra, kurse nga Kosova jo numër i madh tentojnë të shkojnë atje me gra dhe fëmijë. Në vitin 2015 ka qenë një numër nën njëzetë", tha Rama.

Që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që i janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste, në Siri dhe Irak, është rreth 300 syresh.

Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.

Policia e Kosovës, konkretisht Departamenti Kundër Terrorizmit, u ka bërë thirrje institucioneve, organizatave të ndryshme dhe të gjitha familjeve që të jenë të kujdesshme dhe të mbrojnë të afërmit e tyre që të mos bien pre e propagandave të ndryshme për të shkuar në Siri apo Irak.

"Policia e Kosovës është e orientuar në identifikim të personave të cilët kanë për synim të jenë pjesë në zonën e konfliktit në Siri apo Irak, përkatësisht të jenë pjesë e organizatave tash të shpallura terroriste IS apo Al-Nusra", tha Rama.

Institucionet e Kosovës kanë miratuar Ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja. Po ashtu, Kosova ka edhe "Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm".

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Ramadani, njohës i çështjeve të sigurisë, tha për Radion Evropa se vetëm me ligj dhe strategji nuk ndalohet përhapja e një ideologjie të tillë ekstremiste.

Ramadani thotë se joshja e të rinjve dhe familjeve për t'ju bashkuar grupeve ekstremiste në Siri dhe Irak është një nga problemet kryesore që duhet të përballet shteti dhe shoqëria në tërësi.

"Ky është problem i theksuar në dy faktorë; atë që quhet faktor shtytës dhe faktor tërheqës... problemi në Kosovë ka të bëjë edhe me faktorët shtytës, që kryesisht kanë të bëjnë me nivelin e keq të qeverisjes, numrin e madh të rasteve të njerëzve në varfëri dhe po ashtu edhe në uljen e kushteve të jetesës, pra kriza politike edhe kriza shoqërore në tërësi".

"Definitivisht edhe niveli i lartë i korrupsionit është në mesin e faktorëve shtytës, ku sidomos të rinjtë dhe familjet e reja, që u mungon perspektiva [kanë interesim për ato vende]", tha Ramadani.

Në një përgjigje me shkrim nga Prokuroria Speciale e Kosovës për Radion Evropa Lirë, thonë se "gjatë viteve 2014-2015 janë pranuar 57 raste me 226 persona, të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të terrorizmit".

"Prej tyre, 16 raste me 29 persona janë në fazën preliminare të hetimeve. Po ashtu gjatë viteve 2014-2015 janë zhvilluar hetimet ndaj 190 personave, janë ngritur aktakuza kundër 62 personave".

Prokuroria ka treguar po ashtu se janë pezulluar hetimet ndaj 39 personave, kurse janë pushuar hetimet ndaj 21 personave, dhe është hedhur një kallëzim penal ndaj 1 personi, derisa ndaj 3 të miturve është bërë propozimi për shqiptimin e masës edukative.

Në fillim të këtij viti në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Policia e Kosovës pati arrestuar dy persona, nën dyshimin për pjesëmarrje në grupe terroriste.

Policia ka thënë se për një vit, deri në një vit e gjysmë, dy personat e arrestuar dyshohen të kenë qenë pjesë e të ashtuquajturit Shtet Islamik në Siri dhe Irak.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e krimeve të rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan u ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dy shtetasve të Kosovës, të dyshuar për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

XS
SM
MD
LG