Ndërlidhjet

Pozicionimet për dhe kundër Thaçit për president të Kosovës


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

Kuvendi i Kosovës pritet që të procedojë me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës gjatë muajit shkurt.

Këtë e ka konfirmuar vet kryetari i këtij institucioni, Kadri Veseli.Këto komente, Veseli i ka bërë pas një takimi me përfaqësues të Shoqatës së të burgosurve politik të Kosovës.

Ai është shprehur i bindur se nuk do të ketë komplikime rreth zgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, në postin e presidentit, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës dhe një pjese të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Ne e dimë se deri më tani e kemi vetëm një kandidaturë, dhe ai është Hashim Thaçi. Besoj se ai do të zgjidhet president i vendit dhe se ky proces nuk është duke u komplikuar”, ka thënë Veseli.

Mbështetje kandidaturës së Hashim Thaçit i ka dhënë edhe kryeministri i Kosovës, njëherësh edhe lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Por, jo të gjithë deputetët e LDK-së e mbështesin kandidaturën e Thaçit. Llogaritet se 6 apo 7 deputetë të Lidhjes Demokratike nuk e mbështesin Thaçin për president.

Këta deputetë nuk e kishin votuar as formimin e qeverisë së Kosovës, ngaqë nuk e preferojnë Partinë Demokratike si partnere të Lidhjes Demokratike në bashkëqeverisje.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj ka thënë për Radion Evropa e Lirë se asnjëherë nuk do ta mbështeste Thaçin për president dhe as bashkëqeverisjen me Partinë Demokratike të Kosovës.

“Do të mbetem i vendosur në qëndrimet e mija që Hashim Thaçi nuk është i përshtatshëm si kandidat për president. Ai është një njeri shumë i ngjyrosur në aspektin partiak, ka shumë kundërshtarë në partitë opozitare, brenda pozitës, por edhe në shoqërinë civile dhe media dhe mendoj që ai nuk i bën nderë aspak që të jetë një president i Kosovës”, ka thënë Salihaj.

Procedura e zgjedhjes së presidentit zhvillohet në Kuvendin e Kosovës. Në dy rrethet e para të votimit kërkohen dy të tretat e votave, apo minimumi prej 80 votave për, kurse në rrethin e tretë 61 vota për zgjedhjen e presidentit. Mirëpo, që procedura e votimit të fillojë, do të nevojitet edhe kuorumi, që po ashtu nënkupton praninë e dy të tretave të deputetëve në sallë.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, po ashtu një prej atyre që nuk e mbështet kandidaturën e Thaçit, thotë se skenari i vetëm për t’i pamundësuar atij zgjedhjen është dështimi i kuorumit që në rrethin e parë të votimit, duke mos lejuar të kalohet fare në rrethin e tretë.

“Jam e bindur që e vetmja mënyrë për ta parandaluar zgjidhjen e Thaçit president është që të pamundësohet kuorumi prej dy të tretave të votave, që kërkohet qysh në momentin kur fillon zgjedhja e presidentit. Pra, përveç opozitës duhet që edhe 10 deputetë të LDK-së atë ditë të mos qëndrojnë në sallë, në mënyrë që të pamundësohet zgjidhja e tij në krye të shtetit për pesë vitet e ardhshme”, ka thënë Osmani për Radion Evropa e Lirë.

Mungesa eventuale e një grupi të deputetëve të LDK-së në seancën kur do të votohet për zgjidhjen e presidentit, sipas deputetit tjetër, Adem Salihaj, nuk mund të shihet si koordinim me opozitën, por si qëndrim kundër zgjedhjes së Thaçit në postin e shefit të shtetit.

“Qëndrimet tona janë plotësisht të pavarura nga opozita. Ne, disa deputetë të LDK-së, këto qëndrime i kemi shprehur qysh moti, ende pa filluar veprimet protestuese të opozitës, kështu që kjo nuk ndërlidhet me asgjë që kërkon opozita”, ka thënë Salihaj.

Sidoqoftë, pavarësisht nëse do të kishte apo jo një koordinim politik ndërmjet këtij grupi të deputetëve të LDK-së me opozitën, dështimi i zgjidhjes së presidentit do ta çonte Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

Opozita është duke insistuar që zgjedhjet e parakohshme të mbeten si opsioni i vetëm për tejkalimin e situatës së rënduar politike.

XS
SM
MD
LG