Ndërlidhjet

TI: Kosova bën përparim në luftën kundër korrupsionit

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Organizata Transparency International ka publikuar të mërkurën Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2015.

Në përgjithësi, dy të tretat e 168 vendeve të vlerësuara radhiten nën shifrën 50 në indeksin prej 0 pikësh, që përshkruan vendet me korrupsion të lartë, deri në 100 pikë, që vlen për vendet e pastra.

Kosova sivjet ka marrë 33 pikë dhe është radhitur në pozitën numër 103.

Krahasuar me raportin e para një viti, kur është radhitur në pozitën numër 110, Kosova ka shënuar përparim të lehtë.

Përparim më të madh në indeksin e sivjetmë ka bërë Shqipëria, duke u radhitur në vendin e 88-të, krahasuar me vitin 2014, kur, njëjtë si Kosova, ka qenë në pozitën 110.

Nga vendet e tjera të rajonit, Mali i Zi radhitet në pozitën numër 61, Maqedonia 66, Serbia 71 dhe Bosnja dhe Hercegovina 76.

Të gjitha këto të fundit, përveç Maqedonisë, kanë shënuar përparim krahasuar me vitin 2014. Maqedonia, ndërkaq, ka bërë zmbrapsje për dy pozita.

Megjithatë, Transparency International ka theksuar se viti 2015 ka treguar se njerëzit që punojnë së bashku, mund të kenë sukses në betejën kundër korrupsionit.

“Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2015 tregon qartë se korrupsioni mbetet një plagë në mbarë botën. Por, 2015-ta ka qenë po ashtu një vit, kur njerëzit kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër korrupsionit. Njerëzit në gjithë globin kanë dërguar sinjal të fuqishëm tek ata në pushtet: është koha për të luftuar korrupsionin e madh”, ka thënë Jose Ugaz, kryetar i organizatës Transparency International.

Në indeksin e sivjetmë, Danimarka, për të dytin vit me radhë, është në krye të listës si vend i pastër, ndërsa Koreja e Veriut dhe Somalia janë në fund, si vendet më të korruptuara.

Performuesit e mirë kanë nivele të larta të lirisë së shtypit, qasje në informacione të buxhetit, nivele të larta të integritetit mes njerëzve në pushtet, gjyqësor që nuk bën dallime midis të pasurve dhe të varfërve dhe të pavarur nga pjesa tjetër e qeverisë.

Përveç konfliktit dhe luftës, qeverisja e dobët, institucionet e dobëta publike, si policia dhe gjyqësori, si dhe mungesa e pavarësisë në media karakterizojnë vendet me korrupsion të lartë.

Transparency International është organizatë globale e shoqërisë civile, e cila udhëheq luftën kundër korrupsionit.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit radhit vendet në bazë të niveleve të tyre të korrupsionit në sektorin publik.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG