Ndërlidhjet

Në grevë qe 610 ditë


610 ditë grevë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:03:27 0:00

610 ditë grevë

Janë bërë 610 ditë që kur disa ish punëtorë të Fabrikës së Gypave nga Ferizaj, kanë hyrë në grevë e cila ende po vazhdon.

Nën një tendë të improvizuar në qendër të Prishtinës, ballë për ballë me ndërtesën e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, këta punëtorë grevistë i provuan qoftë temperaturat e ulëta të janarit që shkuan deri në -20 gradë celsius, apo ato të sezonit veror që iu afruan 40 shkallëve të celsiusit.

Përveç temperaturave dhe kushteve jo të mira që kanë në tendën e improvizuar, punëtorët grevistë, që aktualisht kanë mbetur vetëm 8 nga 45 sa kanë filluar grevën më 27 maj të vitit 2014, janë ballafaquar edhe me sasi të mëdha të gazit lotsjellës, nga protestat e shumta që janë mbajtur para ndërtesës së qeverisë, sidomos këta pesë muajt e fundit.

Gjendja shëndetësore e tyre nuk është e mirë. Ata kryesisht u përkasin moshave nga 60 deri në 70 vjeç.

Njëri nga grevistët, pas gjashtë muajsh kur kishte filluar greva, ka ndërruar jetë, kurse dy të tjerë kanë ndërprerë grevën për shkak të problemeve shëndetësore.

Njazi Asllani, është kryetar i Këshillit Grevist të Fabrikës së Gypave.

Asllani është 70 vjeç, dhe përdor terapi për zemër pasi ka të vendosura 2 stenta në zemër.

​Ai tregon edhe momentet kur rreth tendës ishin mbajtur dhjetëra protesta të ndryshme, kryesisht ato të opozitës, dhe pasojat që kishin pasur nga hedhja e gazit lot sjellës.

“Ne ishim brenda në tendë. Protestat ndodhnin njëra pas tjetrës, vitin e kaluar dhe protestat e fundit ishin më të ashpra. Mirëpo ne qëndronim në tendë, dhe gazi lotsjellës depërtonte në tendë, pasoja të rënda nuk kemi pasur, por vështirësi po”, tha Asllani.

Grevisti tjetër, Remzi Murati 69 vjeç, ndërkaq tregon se që 20 muaj ka qëndruar vazhdimisht në grevë, por tash me rekomandim të mjekut është larguar nga tenda.

Murati i cili kishte ardhur gjatë ditës për të vizituar kolegët e tij, thotë se në momentin kur përmirësohet gjendja shëndetësore do rikthehet në tendë.

“Gjatë javës kam pasur ftohje për shkak të kushteve të vështira. Mjekët më kanë thënë se jam ftohur në tendë. Por, unë do të kthehem menjëherë pas përfundimit të terapisë, sepse ia kam dhënë fjalën shokëve dhe vetvetes dhe do të qëndroj deri në fund", tha Murati.

Përveç problemeve shëndetësore, problem paraqet edhe sigurimi i ushqimit, pajisjeve dhe mjeteve të nevojshme për të qëndruar në tendë, kontrollimet mjekësore dhe hospitalizimi i të sëmurëve.

Danush Rashiti, thotë se përderisa zyrtarë qeveritarë dhe përfaqësues të Agjencisë Kosovare, nuk kanë qenë asnjëherë për t'i vizituar, qytetarët janë treguar më solidarë.

“Qytetarët janë interesuar, ndonjëherë na kanë sjellë ushqim, batanije. Por, ne ushqimin e përgatisim këtu. Po, të kishim kushte më të mira do të ushqeheshim nëpër restaurante të ndryshme”, shprehet Rashiti

Ndryshe, kërkesa e këtyre punëtorëve, është që autoritetet kompetente t’iu ndajnë mjetet nga privatizimi i Fabrikës së Tubave, ku ata kanë punuar.

Fabrika e Gypave në Ferizaj është privatizuar në vitin 2007, me metodën e spin-off-it special.

Por, mbi 25 milionë euro, ish punëtorët, konsiderojnë se i takojnë atyre.

Në favor të këtyre punëtorëve kishte vendosur edhe Gjykata Kushtetuese. Kjo gjykatë vendosi që dhënia e mjeteve të ekzekutohet nga Qeveria dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Por, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, thonë për Radion Evropa e Lirë, se përbërja e re e bordit të drejtorëve është duke trajtuar shumë çështje duke përfshirë edhe grevën e punëtorëve.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, thotë se shumë çështje kanë mbetur pezull për shkak të mungesës së bordit për më shumë se një vjeç.

“Agjencia Kosovare të Privatizimit, më përbërjen e re tashme ka filluar të njoftohet më çështjet e ndryshme të cilat kanë mbetur pezull për shkak të mungesës se bordit për më shume se një vit. Edhe rasti i punëtorëve të Fabrikës së Tubave është një nga çështjet për të cilat bordi është duke u njoftuar më detajisht dhe do të trajtojë këtë çështje me prioritet”.

Por, Ahmet Sylejmani, anëtar i Këshillit Grevist, përsërit vendosmërinë e grevistëve se do të qëndrojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

"Deri në realizimin e kërkesës tonë, që është shlyerja e borxhit total, mbi 25 milionë euro me tre për qind kamatë deri në vitin 2012, ne prej tendës nuk dalim. Deri në fund do të qëndrojmë këtu, nëse është nevoja edhe do të vdesim këtu”, tha Sylejmani.

Ndryshe, greva prej 610 ditësh apo rreth dy vitesh, llogaritet greva më e gjatë në Kosovë, por sipas grevistëve është më e gjata në Evropë dhe botë.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG