Ndërlidhjet

logo-print

Virusi Zika është zbuluar në vitin 1947 në Ugandë, ndërsa rasti i parë në njeri është regjistruar në Nigeri, në vitin 1954.

I lindur nga mushkonja, virusi ka qarkulluar në Afrikë dhe Azi për dekada të tëra, dhe së voni në rajonin e Paqësorit, derisa asnjëherë nuk ka shkaktuar shumë shqetësim.

Situata sot është “krejtësisht ndryshe”, ka thënë shefja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Chan.

Virusi po përhapet vrullshëm, pasi është zbuluar në Brazil vitin e kaluar, ka shtuar Chan. Sipas saj, “niveli i alarmit është jashtëzakonisht i lartë”.

Zika ka lidhje me defekte në lindje, të njohura si mikrocefali, kur foshnjat lindin me koka jonormale të vogla.

Sidoqoftë, përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës kanë deklaruar se Kosova nuk është e rrezikuar nga ky virus, ndonëse i paralajmërojnë qytetarët që t’u shmangen udhëtimeve ku virusi është i pranishëm.

Naser Ramadani, drejtor i këtij instituti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se virusi Zika ka shkaktuar epidemi të vogla, që nga viti 1947, kur edhe është paraqitur rasti i parë, për t’u rishfaqur prapë në Amerikën Latine në vitin 2007, dhe pastaj sërish në vitin 2015, duke regjistruar më shumë se 4 mijë raste të sëmundjes.

“Si sëmundje, virusi Zika nuk paraqet ndonjë gjendje të rëndë, duke u manifestuar me shenja të përgjithshme, si: temperaturë , ethe, molisje, plogështi, por që problemet mund të rëndohen në sisteme tjera të organizmit.”

“Më së shumti raste janë shfaqur në Amerikën Latine, aty ku ka shumë mushkonja, e kjo sëmundje përhapet pikërisht nga mushkonjat, dhe atë nga specie të veçanta, që quhen EDES. Në mënyrë specifike, shumë rrallë të regjistruara, ka pasur raste të bartjes edhe përmes gjakut dhe marrëdhënieve seksuale. Meqë sëmundja është përhapur edhe jashtë Amerikës Latine dhe Qendrore,ekziston rreziku potencial, por jo i lartë, edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur gjendje emergjente”, ka thënë Ramadani.

Ai gjithashtu ka shtuar se Shqipëria mund të jetë vend i rrezikshëm për përhapje të virusit.

“Në Kosovë nuk ka këso mushkonjash, dhe nuk ka rrezik të përhapjes, derisa në Shqipëri ekzistojnë mushkonja të tilla, dhe ka mundësi të përhapjes së virusit.”

“Instituti Kombëtar ka marrë masa adekuate, në rast të paraqitjes së sëmundjes, dhe është duke e përcjellë situatën epidemiologjike. Dhe të gjitha rekomandimet shkojnë në drejtim të pengimit të pickimit të mushkonjave , qoftë me rrjeta, qoftë me shkatërrimin e vendeve të mushkonjave dhe ndalimin e shumimit të tyre dhe përhapjen e sëmundjes”, ka shtuar Ramadani.

Nga zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, udhëheqësi Skender Syla ka deklaruar se aktualisht në rajonin e Evropës, ku bën pjesë edhe Kosova, mund të shfaqen raste të importuara nga individë që mund t’i vizitojnë zonat të cilat kanë shpallur edhe epideminë e virusit Zika.

“Ne nuk presim, sidomos gjatë sezonit të dimrit, të shfaqet kjo sëmundje, pasi atë e bartë mushkonja. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që të ngritin në nivelin më të lartë sistemin e mbikëqyrjes së sëmundjeve ngjitëse, përfshirë edhe këtë virus, dhe të japin informacione të sakta, me kohë, për personat që planifikojnë të udhëtojnë tek vendet ku është shfaqur virusi Zika”, ka thënë Syla.

Përpos bartjes së virusit përmes mushkonjave, zyrtarët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se rasti i parë i virusit Zika në këtë shtet është marrë edhe nëpërmjet marrëdhënies seksuale, në shtetin Teksas, muajin e kaluar.

Ky raport i autoriteteve në Dallas të Shteteve të Bashkuara thotë se infeksioni është konfirmuar nga testet në Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Zyrtarët në Teksas thanë se pacienti ishte infektuar me virus, pasi kishte pasur kontakt seksual me një person të sëmurë, që ishte kthyer nga vendi, ku virusi Zika ishte i pranishëm.

Ndërsa Naser Ramadani ka thënë se në rast të shfaqjes së rasteve sporadike në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është i gatshëm, si në pikëpamje diagnostike, po ashtu edhe të rekomandimeve të përgjithshme të parandalimit, t’u dalë në ndihmë gjithë atyre njerëzve.

Ai rekomandon që qytetarët e Kosovës t’u shmangen, aq sa munden, udhëtimeve ku virusi Zika është i pranishëm.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG