Ndërlidhjet

Shtypi botëror: Mesazhi i NATO-s për presidentin rus, Vladimir Putin


Ash Carter
Ash Carter

Pentagoni ka thënë këtë javë se kërkon 3.4 miliardë dollarë buxhet për vitin 2017 për të luftuar “agresionin rus”. Shuma paraqet një rritje të katërfishtë nga viti fiskal 2016.

Në një fjalim të martën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, ka listuar kërcënimet ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë përfshirë: Kinën, Korenë e Veriut dhe luftën kundër terrorizmit, por fokusi kryesor ka qenë Rusia.

“Është e pamohueshme se Rusia është bërë në mënyrë të hapur agresive nën presidentin Vladimir Putin, i cili ka shkelur kufijtë sovranë, duke aneksuar Krimenë dhe duke ushqyer luftën civile në Ukrainë. Armëpushimi në Ukrainë është shpallur vitin e klauar, por forcat ruse vazhdojnë të ruajnë praninë në lindje të Ukrainës, duke nxitur dyshimet se Rusia mund të bëjë përpjekje të zgjerojë ndikimin në shtetet baltike”, shkruan në numrin e së enjtes gazeta New York Times.

E përditshmja amerikane thekson se, duke pasur parasysh këto lëvizje të Rusisë, është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s të përforcojnë angazhimin e tyre për mbrojtjen e përbashkët, sidomos në kohën kur Evropa është nën stres të madh nga fluksi i refugjatëve sirianë dhe të tjerë, si dhe nga rritja e partive të ekstremit të djathtë.

Rritja e fondeve për të luftuar Rusinë është pjesë e buxhetit të mbrojtjes, në vlerë prej 582.7 miliardë dollarësh, që Carter ka thënë se Pengatoni do ta kërkojë për vitin 2017.

Gazeta Wall Street Journal e cilëson si hap të madh këtë rritje të fondeve. Sipas saj, administrata Obama, më në fund, është duke bërë më shumë për t’iu ofruar siguri aleatëve lindorë në NATO, përballë Rusisë.

Sekretari Carter ka thënë po ashtu se rritja e buxhetit do të ndihmojë rritjen e pranisë amerikane në vendet e Evropës lindore.

Wall Street Journal thotë se Rusia nuk ka reaguar mirë ndaj këtij plani, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkelje të një marrëveshjeje të vitit 1997, e cila ndalon vendosje të mëdha të trupave në territoret e shteteve të reja të NATO-s.

Por, kjo marrëveshje është bërë në epokën e pas Luftë së Ftohtë, kur shumë në Perëndim kanë shpresuar se edhe Rusia mund t’i bashkohet eventualisht NATO-s, shkruan gazeta.

“Putin, qysh atëherë, e ka përdorur zgjerimin paqësor të NATO-s në lindje si justifikim për të ringjallur ëndrrat e tij për Rusinë e Madhe. Kremlini ka pushtuar Gjeorgjinë, ka shkelur Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, i cili i garanton Ukrainës integritetin territorial, dhe ka shkelur vazhdimisht hapësirën ajrore të NATO-s. Pasi trupat e NATO-s do të lëvizin midis disa shteteve, ato nuk do të shkelin marrëveshjen e vitit 1997 në asnjë rast”, shkruan gazeta Wall Street Journal.

Uashingtoni dhe aleatët e tij në Evropë dhe gjetkë kanë goditur Rusinë me disa sanksione, për shkak të aneksimit që i ka bërë Moska Krimesë së Ukrainës në vitin 2014 dhe mbështetjes së saj për separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG