Ndërlidhjet

Dhuna ndërmjet nxënësve në forma të ndryshme vazhdon të jetë e pranishme në mjediset edukative - arsimore në të gjitha shkollat e Kosovës, por në masë më të madhe në kryeqytet, në Prishtinë.

Sipas autoriteteve kompetente, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe sociologëve, sfida më e madhe në këtë drejtim është vetëdijesimi i nxënësve, prindërve apo edhe shkollave përkatëse, për të raportuar dhunën në organet e sigurisë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, në Policinë e Kosovës janë raportuar 567 incidente që kanë ndodhur në shkolla ose në afërsi të objekteve të shkollave në Kosovë.

Për fat të mirë, ndonjë vrasje nuk është shënuar, por ka pasur tri raste tentim vetëvrasjeje. Në 120 raste të tjera janë shkaktuar lëndime të lehta trupore, 14 lëndime të rënda trupore, 20 raste janë raportuar për posedim të armëve të zjarrit dhe 36 posedim të armëve të ftohta.

Kurse, rastet tjera janë të lidhura me vjedhje, zjarrvënie, posedim të substancave narkotike, grabitje, ngacmime seksuale dhe kanosje.

Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, nga Policia e Kosovës, dërguar Radios Evropa e Lirë, thuhet se incidentet kryesisht ndodhin në shkollat e mesme.

Se dhuna fizike dhe vjedhjet ekzistojnë në shkolla, madje edhe në shkollat fillore, pohojnë edhe disa prindër. Lumnija, është nëna e një nxënësi në klasë të pestë, në njërën nga shkollat fillore në Prishtinë.

Ajo tregon se djalit të saj, pasi i janë vjedhur atletet, të nevojshme për lëndën e Edukatës Fizike, është rrahur nga bashkëmoshatarët e tij.

“Djalit ia kanë vjedhë atletet, dhe e kanë rrahur disa nxënës tjerë. Nuk e kam paraqitur në polici, por nëse ndodh edhe një herë, e paraqes. Djali tash po frikohet të shkojë në shkollë”, tregon Lumnija.

Edhe hulumtimet e realizuara nga organizatat joqeveritare që veprojnë në Kosovë, e ku kanë përfshirë nxënës të shkollave të mesme të nivelit të ulët dhe të lartë në vend, tregojnë për praninë e dhunës fizike dhe psikologjike ndërmjet nxënësve.

Në të gjitha diskutimet që janë zhvilluar, nxënësit kanë raportuar se janë dëshmitarë të dhunës nëpër ambientet shkollore.

Qendra për hulumtime, dokumentim dhe publikim më herët ka prezantuar një studim të quajtur “ Dhuna në mesin e nxënësve në sistemin shkollor në Kosovë”, ku janë dhënë fakte për praninë e dhunës fizike në shkolla.

Psikologu Vigan Behluli, hulumtues në këtë qendër, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon arsyet e manifestimit të dhunës nëpër shkolla.

Behluli, duke mos anashkaluar faktin se dhuna në shkolla mund të nxitet edhe nga problemet që rrjedhin në familje, thotë se dhuna po manifestohet edhe në rastet kur mësimdhënësit nuk po arrijnë të menaxhojnë apo korrigjojnë sjelljet e pahijshme të nxënësve.

“Përfundimisht, përgjegjësia është te prindërit dhe te mësimdhënësit për të dhënë shembuj të mirë dhe të praktikojnë mënyrë pozitive si mënyrën e vetme dhe kryesore të komunikimit dhe korrigjimit të sjelljes së fëmijëve”, thotë Behluli.

Edhe zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pranojnë se ekziston dhuna nëpër shkolla, por më e pranishme kryesisht është në ato shkolla ku numri i nxënësve është më i madh.

Merita Jonuzi, koordinatore për të drejtat e njeriut në këtë ministri, i konsideron shqetësuese të dhënat mbi dhunën në shkolla. Për këtë arsye,thotë ajo, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka ndërmarrë hapa konkretë për ta parandaluar këtë dukuri.

Kjo ministri tashmë ka hartuar “Protokollin për parandalim dhe referim të dhunës në institucionet e arsimit parauniversitar”.

“Ky protokoll, parash përgjegjësitë ligjore institucionale, të secilit institucion karshi problemit të dhunës në shkollë. Kështu që partnerët institucionalë duhet të shohin veten se ku e kanë obligimin karshi problemit në shkollë. Shkolla i ka përgjegjësitë e veta dhe duhet të veprojë në përputhje me to”, bën të ditur Jonuzi.

Por, sociologët thonë se rreth 50 për qind e nxënësve kanë përjetuar një lloj të dhunës verbale, kurse 24 për qind kanë përjetuar dhunë fizike, e që e konsiderojnë shifër të lartë për shoqërinë.

Sociologia Maria Berishaj - Sylejmani për Radion Evropa e Lirë, thotë se statistikat janë alarmante dhe shoqëria duhet ta adresojë seriozisht këtë problem, siç është gjetja e shkaqeve dhe parandalimi i dhunës në shkollë.

Një ndër arsyet që çojnë deri te dhuna në shkolla, sipas saj, është niveli i ulët i tolerancës te nxënësit.

“Ata janë të frustruar dhe shumë pabarazi që ndodhin në shoqëri, manifestohen te nxënësit, e që çon deri te sjelljet e tyre që mund të jenë të dhunshme. Për këtë arsye, shkollat duhet të bëhen mjedise, në të cilat ka dialog dhe krijohet besim ku nxënësit mund t’i tregojnë problemet e veta dhe t’i zgjidhin në mënyrë paqësore”, vlerëson sociologia Berishaj - Sylejmani.

Dhuna ndërmjet nxënësve po ashtu vlerësohet se mund të ketë burim të përhapjes, dështimin për të krijuar një bazë të qëndrueshme të komunikimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve shkollore, nxënësve dhe prindërve.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG