Ndërlidhjet

Përfitimet e Kosovës dhe Serbisë nga dialogu


Ilustrim
Ilustrim

Perceptimet e qytetarëve të Kosovës janë që Serbia po përfiton më shumë se Kosova në procesin e dialogut në Bruksel, për sa i përket proceseve të integrimit në Bashkimin Evropian.

Ky është rezultat i hulumtimeve të bëra në kuadër të edicionit të pestë të Barometrit kosovar të sigurisë, të cilin e ka bërë Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, me temën: Perceptimeti i publikut për Politikën e Jashtme dhe dialogun me Serbinë.

Hulumtimi është bërë në tetor të vitit 2015, ku janë intervistuar 1 mijë e 70 persona në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit.

Donika Emini nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, e cila ka prezantuar rezultatet e hulumtimit, ka theksuar se shumica e qytetarëve të Kosovës, me përkatësi shqiptare, i shohin rezultatet e procesit të normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, i mjaft negative.

“Kjo mbase edhe për shkakun se gjatë asaj kohe tashmë ishte e nënshkruar marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe dhe diskursi politik filloi të egërsohej".

"Filloi edhe kriza në parlament dhe qytetarët e Kosovës e reflektuan këtë menjëherë, duke dyshuar edhe në rezultatin e dialogut në tërësi. Shihet qartë që qytetarët e Kosovës mendojnë se Serbia është ajo që po përfiton me shumë se Kosova në gjithë këtë proces, E njëjta ka qenë edhe te qytetarët serbë, të cilët kanë menduar se Kosova po përfiton më shumë se Serbia”, ka thënë Emini.

Ajo ka shtuar se këto perceptime, mund të jenë rezultat i mungesës së transparencës gjatë procesit të dialogut.

Emini gjithashtu ka theksuar se, bazuar në rezultatet e hulumtimit, shumica e të intervistuarve kanë thënë se edhe pas gjithë procesit të deritashëm, marrëdhëniet mbeten të njëjta dhe nuk kanë rezultuar me ndryshime në jetët e tyre.

Sipas hulumtimit, mbi 70 për qind e të intervistuarve kanë thënë se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është dëmshme për Kosovën.

Naim Rashiti, analist nga Grupi Ballkanik për Politika, ka theksuar se dialogu i Kosovës me Serbinë është pjesë e politikës së jashtme të Kosovës.

Por, sipas tij, institucionet e Kosovës nuk kanë arritur t’ia shpjegojnë publikut interesin dhe përfitimet nga ky dialog, për faktin se askush nga drejtuesit e lartë të institucioneve nuk kanë përdorur gjuhën e njëjtë për politikat e vendit në raport me dialogun. E gjithë kjo, për faktin, sipas tij, se nuk kanë një udhërrëfyes dhe strategji.

“Kjo ka bërë që 70 e më shumë për qind e shoqërisë sonë të mos e përkrahë dialogun. Dialogu, me automatizëm, është jopopullor. Dhe do të jetë jopopullorë, sepse nuk është arritur paqja, nuk është arritur pajtimi dhe nuk është bërë dëmshpërblimi".

"Nuk e kam hallin se çfarë po ndodhë me Asociacionin. Disa marrëveshje të ngjashme, sikurse Asociacioni, do të vijnë në vitet e ardhshme dhe për të cilat, nëse krijohet ky perceptim, ky hendek, kjo është alarm. Nëse ky hendek krijohet për një Asociacion, atëherë çfarë do të ndodhë kur të fillojnë proceset tjera të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve?”, është shprehur Rashiti.

Barometri kosovar i sigurisë për vitin 2015, gjithashtu ka nxjerrë në pah rezultatin ku 90 për qind e të intervistuarve e shohin Serbinë si një vend shumë armiqësor.

Fisnik Korenica, analist nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka theksuar se dialogu Kosovë - Serbi është proklamuar si një instrument që do t’i afrojë popujt më afër njëri tjetrit, por, perceptimi i qytetarëve tregon se ka ndodhur e kundërta.

“Nëse objektiv themelor i dialogut ishte të normalizohen relacionet në mes të dy vendeve dhe të ulej pozicioni i kundërshtimit dhe armiqësive, kjo tregon që, në fakt, një qëllim të tillë dialogu nuk e ka arritur asnjëherë".

"Përkundrazi, qasja armiqësore mbi Serbinë, vazhdon të rritet, për faktin se rezultatet e dialogut, çdo herë e më shumë, interpretohen që shkojnë në disfavor të Kosovës. Kjo pabarazi, jo vetëm që nuk po i zbutë dhe normalizon raportet, por po i tensionon edhe më tutje raportet në mes të dyja vendeve, në kuptimin e perceptimit të publikut”.

Në hulumtimin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë lidhur me perceptimin e publikut për politikën e jashtme, del se shumica e të intervistuarve, që janë shqiptarë, e shohin Shqipërinë si vend mik, ndërkohë që të intervistuarit Serb e shohin si vend mik Serbinë dhe Rusinë.

Të intervistuarit shqiptarë e shohin Rusinë si vend armik, ndërkohë që Maqedoninë dhe Malin e Zi i shohin si vende neutrale në raport me Kosovën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania vazhdojnë të perceptohen si shtetet më aleate të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ndërkaq krahas Britanisë së Madhe, që perceptohet si vend mik, Turqia, për herë të parë është parë si aleat i mundshëm me të cilin duhet të forcohet partneriteti.

Qytetarët e Kosovës, vazhdojnë të ndajnë perceptime pozitive në raport me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke treguar entuziazëm për t’iu bashkuar strukturave të tilla.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG